Plagosën rëndë 26-vjeçarin disa ditë më parë, policia zbardh ngjarjen, identifikohen porositësit dhe autori

Policia e Tiranës ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së ndodhur më datë 06.12.2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, ku u plagos rëndë, me sende të forta, një 26-vjeçar.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të plagosjes së rëndë të shtetasit F. Y., shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit “Porosia”, identifikuan 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht Helidon Marku 49 vjeç, Gjoke Ndrevataj 36 vjeç dhe Xhemal Uka 30 vjeç.
Nga këto veprime rezultoi se Gjoke Ndrevataj dhe Xhemal Uka për motive të dobëta, kanë porositur Helidon Markun, për të kryer plagosjen.
Në vijim të veprimeve operacionale, 49-vjeçari u kap dhe u vu në pranga, ndërkaq po punohet për kapjen e shtetasve Gjoke Ndrevataj dhe Xhemal Uka, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e 26-vjeçarit.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. D., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka shoqëruar shtetasin Helidon Markun, për të kryer krimin, si dhe ka refuzuar të deklarojë në polici, rrethana të kësaj ngjarjeje, për të cilat dyshohet se ka patur dijeni.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./vizionplus.tv




