Projekti për rijetësimin e piramidës dhe shndërrimin në një qendër inovacioni e teknologjie për të rinjtë, ka shkuar tashmë në mbi 30 % të punimeve.

 

Kemi të bëjme me një projekt arkitektonik i studios së njohur holandeze MVRDV, që do krijojë kushtet optimale për Qendrën më të madhe Digjitale në rajon.

 

Kryeministri Rama ishte sot sërish në kantierin e hapur, së bashku me Kryetarin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve Michael Granoff për të parë nga afër ecurinë e projektit.

 

Kryetari i Bashkisë Veliaj shpjegoi punën e deritanishme dhe detajoi disa elemente të veçantë të arkitekturës.

 

 “Mund të themi që 30% e punës është bërë. Arkitekti do të vijë sërish në fund të muajit për detajet përfundimtare, por kemi goxha punë për fasadën. Kemi marrë miratimin për të dhe për punimet për gjelbërimin si dhe disa nga ato detajimet që do bëhen brenda. Siç e shikoni, këto janë si lego, disa janë brenda, disa do të jenë anash ndërtesës. Këtu kemi dy kube, që pamja e tyre përfundimtare do të jetë si një kub. Pjesa tjetër do të jetë një auditor. Kështu që do të shihet ky gërshetim i shkallëve, por edhe i pjesës  metalike në nivele të ndryshme aktivitetesh. Disa nga kutitë do të jenë këtu, disa brenda, e disa edhe në anë të ndërtesës.”- tregoi Kryebashkiaku Veliaj, i cili shtoi se pjesë e projektit do të jetë edhe një kinema, si dhe një  auditor i madh.

 

Projekti synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët.

 

Piramida  e transformuar, e cila do të jetë gati tetorin e ardhshëm me mbështetjen e Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan, do të mirëpresë mijëra të rinj për të mësuar gjuhën e kodimit, robotikë, design dhe programim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *