Pas humbjes në Angli, Shqipëria përgatitet tashmë për duelin e dytë të kualifikuesve të Kupës së Botës.
Sfida kundër Andorës, të hënën në orën 20:45, e vlefshme për grupin K, do të luhet në stadiumin tonë kombëtar në Tiranë. Të shtunën, kuqezinjtë zhvilluan një seancë stërvitore në Londër, ndërsa përgatitjet e fundit do të zhvillohen sot pasdite, pikërisht në stadiumin ku do të luhet edhe sfida.
Fillimisht do të jetë në konferencë për shtyp trajneri Silvinjo, e pastaj fokusi tek stërvitja e fundit, ku tekniku i kombëtares do të heqë edhe dilemat e fundit në lidhje me formacionin anti-Andore. Gjithçka do të varet nga forma e disa lojtarëve, qoftë e atyre që luajtën titullarë në Uembli, qoftë edhe e të tjerëve që në Londër nuk luajtën për arsye dëmtimesh ose luajtën dhe u zëvendësuan.
Kjo situatë, për shembull, është me Kumbullën dhe Ismajlin, që ende nuk dihet nëse mund të kenë minuta në krah të Gjimshitit, apo aty në qendër do të preferohet sërish Arlind Ajeti.
Në mesfushë, surpriza mund të jetë Medon Berisha në vend të Ramadanit. Dilemë ka edhe në fazën offensive, ku Arber Hoxha dhe Ernest Muci janë alternative konkrete për titullarët e Anglisë, Asani dhe Bajrami.
Në sulm duket i sigurtë aktivizimi si titullar i Rey Manaj në vend të Myrto Uzunit.
Shqetësim tjetër i madh i Silvinjos ka qenë pas Anglisë gjendja e portierit Tomas Strakosha, i dëmtuar ndaj Tre Luanëve. Lajmet e fundit janë inkurajuese gjithsesi nga stafi kuqezi. Ashtu si Shqipëria, edhe Andora e nisi me humbje fushatën eliminatore të Botërorit, pasi u mund në fushën e vet nga Letonia 1 me 0.
/vizionplus.tv





