Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se më 26 gusht 2026 përfundoi operacioni për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë.
Sipas ministrisë, operacioni është rezultat i një pune të gjatë dhe të koordinuar mes institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike e konsullore dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.
MEPJ thekson se riatdhesimi nga zonat e prekura nga konflikti përbën një përgjegjësi të shtetit për mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë, edhe në rrethana të vështira.
Pas mbërritjes në Shqipëri, pesë shtetasve do t’u ofrohet asistenca e nevojshme, ndërsa do t’u kryhen vlerësime shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.
Ministria falënderoi institucionet shqiptare dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, për bashkëpunimin që mundësoi përfundimin e procedurave dhe kthimin e sigurt të shtetasve.
Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë punën për rehabilitimin dhe riintegrimin e të riatdhesuarve, si dhe për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë nga Siria, kur të krijohen kushtet e nevojshme për një riatdhesim të sigurt.
/vizionplus.tv





