Një incident i rëndë ndodhi dje në qendrën hapësinore Starbase të SpaceX, në Teksas, kur prototipi i raketës Starship Ship 36 u shkatërrua plotësisht gjatë një prove të motorit statik. Shpërthimi ndodhi pak para testit të planifikuar të njohur si “zjarr statik” dhe u kap nga kamerat, duke u përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale.
Fatmirësisht, nuk pati të lënduar, pasi askush nuk ndodhej në distancë të rrezikshme në momentin e shpërthimit. Megjithatë, dëmet në raketë dhe infrastrukturën mbështetëse janë të konsiderueshme.
Sipas analistëve, kostoja e ndërtimit dhe përgatitjes së një rakete Starship kap shifrën e afro 100 milionë dollarëve, ndërsa vetë kompleksi i Starbase ka kushtuar mbi 3 miliardë dollarë. Vlerësimi fillestar i dëmeve në programin Starship, i cili ka kaluar tashmë 5-7 miliardë dollarë në investime, mund të shkojë përtej 5 miliardë dollarëve, sidomos duke marrë parasysh vonesat e mundshme dhe kostot e rindërtimit.
SpaceX nuk ka publikuar ende një deklaratë të detajuar për incidentin, por si gjithmonë, kompania thekson se dështime të tilla janë pjesë natyrale e zhvillimit teknologjik. Vetë Elon Musk ka deklaruar shpesh se “dështimet janë të nevojshme për përparim” dhe konsiderohen pjesë e strategjisë afatgjatë të testimit.
Megjithatë, ndërsa afron koha për misionet e para me njerëz drejt Hënës dhe më tej, ngjarje të tilla shtojnë presionin ndaj SpaceX, duke rikujtuar se rruga drejt dominimit të hapësirës është po aq e ndërlikuar sa ambicioze.
/vizionplus.tv





