Subscribe

Një tjetër kopesht hap dyert për të pritur fëmijët në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ambasadorin e Katarit në vendin tonë përuruan Kopshtin 42 në zonën e ish-Bllokut.

 

Kur duam t’i përgjigjemi pyetjes se si do jetë Tirana pas 30 viteve ne tregojmë një kopësht, se praktikisht Tiranën e 2050-ës po e formësojmë në këto hapësira dhe nëse këto hapësira janë të mira, atëherë e ardhmja e Tiranës do jetë e mirë. Nëse këto hapësira janë ato që gjetëm në 2015-ën, të gjitha me lagështirë, një shtytje tërmeti larg nga shkatërrimi, ai nuk është më një qytet që frymëzon e ta ka ënda të thurësh ëndrra për të ardhmen. Përgjigja për Tiranën e 2050-ës është ky kopsht që ne bëmë me miqtë tanë nga Katari, me bujarinë e të cilëve ngritëm infrastrukturën dhe pastaj mobilimin me këngëtaren e famshme Dua Lipën që dua ta falenderoj pasi më la porosi edhe sot t’i çoja foto, dëshmi se si kontributi i njerëzve që duan të ndihmojnë prodhon diçka fantastike

 

Kreu i Bashkisë tha se përveç forcimit dhe modernizimit, hapësirat e kësaj godine janë trefishuar, duke shtuar po me tre herë edhe kapacitetin e fëmijëve që mund të akomodohen në këto mjedise.

 

“Parimi ka qenë ta bëjmë më të fortë, më të bukur dhe më të madhe dhe shkuam nga një kopsht që kishte vetëm 100 fëmijë, edhe prej kushteve të amortizuara, në trefishin e tyre. Kjo do të thotë se 300 prindër shkojnë më të qetë në punë. Janë 300 familje që sigurojnë të ardhura, prej faktit që na kanë besuar dritën e syve dhe besoj se nëse do shikojmë efektin kaskadë që ka kjo në ekonomi, në komunitet, apo në aftësimin dhe karrierën e gjithë këtyre prindërve, është një sukses i jashtëzakonshëm. Bekuar qofshin ata që punojnë për fëmijët e që prodhojnë punë të tilla të shkëlqyera, të jashtëzakonshme, më të forta, më të mëdha dhe më të bukura,”.

 

Edhe ambasadori i Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri, theksoi se vendi i tij i kushton një kujdes të veçantë arsimit për rolin vendimtar në formimin e një brezi të vetëdijshëm e të kulturuar, që ndërton një shoqëri të drejtë dhe kontribuese në realizimin e zhvillimit social dhe ekonomik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *