Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion kundër shfrytëzimit për prostitucion. Operacioni i koduar “Storm 5”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme pas një hetimi disajavor me metoda proaktive, çoi në pranga tre persona dhe në procedim penal shtatë të tjerë.
Në kuadër të këtij operacioni, në lagjen nr. 13 të qytetit të Durrësit, u arrestuan dy shtetase me kombësi kineze, D. Sh., 54 vjeçe, dhe S. Y., 40 vjeçe, të cilat kishin përshtatur dy apartamente të marra me qira, pa kontrata, për ushtrim të prostitucionit.
Gjithashtu u arrestua shtetasi S. M., 39 vjeç, banues në të njëjtën lagje, i cili u identifikua si pronari i apartamenteve të përdorura për veprimtarinë e paligjshme. Ai dyshohet se i ka dhënë ambientet me qira në mënyrë të parregullt dhe i ka përshtatur për këtë qëllim.
Policia procedoi gjithashtu në gjendje të lirë 7 persona (2 shtetase të tjera kineze dhe 5 shtetas shqiptarë), për veprën penale të “Prostitucionit”.
Gjatë operacionit u sekuestruan si prova materiale: pasaporta, shuma parash, telefona celularë, karta bankare dhe sende të tjera që përdoreshin për organizimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Nga hetimet paraprake, rezulton se aktiviteti koordinohej nëpërmjet telefonatave të kryera nga jashtë vendit, përmes një call center-i, çka ngre dyshime se rrjeti i shfrytëzimit për prostitucion mund të ketë lidhje ndërkombëtare.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
/vizionplus.tv






Kerkese per panele diellore per prodhim energjie