E premte, 16 Tetor 2026 Det i Trazuar deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Përshkallëzohet situata në Jemen, rebelët Houthi godasin pallatin presidencial

Dy roje sigurie janë vrarë pas një sulmi me raketa ndaj kompleksit të pallatit presidencial në Aden, në jug të Jemenit. Sulmi u krye nga rebelët Huthi, ndërsa kryeministri dhe anëtarët e kabinetit që ndodheshin në kompleks shpëtuan pa lëndime. Pamjet e regjistruara nga dëshmitarët tregojnë shtëllunga tymi që ngrihen nga zona e goditur.

Ministri i Informacionit, Moammar al-Eryani, bëri të ditur se Huthët hodhën pesë raketa drejt kompleksit presidencial Maashiq.  

Reklamë

Agjencia e lajmeve Saba, e drejtuar nga Huthët, raportoi se objektiv i sulmit ishte një seli e operacioneve ushtarake, ku sipas saj ndodheshin oficerë sauditë, si dhe depo armësh.Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga autoritetet saudite të enjten, tregojnë sulme edhe në tre aeroporte të Arabisë Saudite, duke shtuar presionin dhe duke ngritur shqetësime për sigurinë e infrastrukturës dhe planet e saj ekonomike.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Abhës, në jugperëndim të vendit, pamjet tregojnë një shpërthim pranë zonës së pasagjerëve. Sipas koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite, sulmet e Huthëve në këtë aeroport shkaktuan tre viktima dhe 28 të plagosur.

Sulmet u dënuan edhe nga Këshilli drejtues i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil të OKB-së, i cili shprehu shqetësimin për goditjet ndaj aeroporteve civile, avionëve dhe infrastrukturës së aviacionit.

Jemeni është përfshirë në konflikt që nga fundi i vitit 2014, kur rebelët Huthi pushtuan kryeqytetin Sana dhe pjesën më të madhe të Jemenit verior, duke bërë që një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në vitin 2015 në mbështetje të qeverisë jemenase.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.