Subscribe

Sot është mbajtur seanca e radhës për ecurinë e çështjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.

Prokuroria është kundërshtuar nga pala mbrojtëse pasi nuk ka dhënë datë për përfundimin e hetimeve, duke shtuar se dosjen paragjyqësore do ta dorëzojë tre muaj para fillimit të gjyqit.

Ky parashtrim është konsideruar absurd dhe i papranueshëm nga avokatët, të cilët kërkojnë minimalisht 18 muaj kohë për procesin hetimor.

 

DAVID HOOPER

AVOKAT I ISH PRESIDENTIT HASHIM THAÇI

 

“Ndërsa dëgjoj zotin prokuror më duhet të pickoj veten a isha në ëndërr apo jo, vërtetë po thotë se mund të bëhet kështu ky gjyq? Nëse flasim për një proces të rregullt gjyqësor, është e pakonceptueshme. Këto fjalë të prokurorisë janë zhgënjyese për mendimin tim. Ende nuk kemi filluar me krijimin e ekipit hetimor, do të duhen 18 muaj në mos më shumë që të fillojmë të hetojmë këto çështje, ky është realiteti”.

 

Ndërsa avokati i ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Ben Emerson, duke përmendur edhe praktika nga gjyqet e mëparshme, akuzoi prokurorinë se po synon një gjyq të padrejtë.

 

BEN EMERSON

AVOKAT I ISH KRYETARIT TE PDK-SE, KADRI VESELI

 

“Në këtë rast kur bëhet fjalë për 100 vrasje secila duhet hetuar veç e veç, bashkë me një numër shumë të madh ndalimesh të pretenduara të paligjshme, të gjitha duhen hetuar. Nocioni që gjyqi mund të fillojë tre muaj pasi Prokuroria ka dorëzuar dosjen e saj është qesharak. Jo vetëm qesharak por është zbulim i një përpjekje të Prokurorisë për të pasur një gjyq të padrejtë. Është e padiskutueshme që ne nuk do ta lejojmë të ndodhë. është e drejta bazë minimale për të pasur një gjyq të drejtë, dhe gjyq i drejtë është ai sipas Kushtetutës, konventave evropiane, që gjyqi të fillojë pasi mbrojtja të ketë bërë përgatitjet e saj”.

 

Prokuroria ka deklaruar se deri më tani i ka dorëzuar mbrojtjes mbi 1.300 materiale dhe se në muajin korrik mund të përfundojnë hetimet dhe në muajin shtator të vitit 2021 të nisë procesi gjyqësor.

 

Sipas avokatëve mbrojtës, gjykimi do të duhej të fillonte në fund të vitit 2022, ose në fillim të vitit 2023, në varësi edhe të pandemisë.

 

Gjykatësi, Nicolas Guillou nuk mori asnjë vendim në lidhje me datën e fillimit të gjyqit dhe as për lirimin e parakohshëm të të akuzuarve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *