Subscribe

Një burrë 78 vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri në kokë, gjatë një operacioni të RENEA-s në fshatin Remas të Divjakës në Lushnje.

 

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur njësitë speciale kishin rrethuar banesën e familjes së Haxhi Likës, në kërkim të dy personave që cilësoheshin me rrezikshmëri të lartë.

 

Policia nuk ka dhënë emrat e personave por sipas saj bëhet fjalë për të dyshuar për ngjarje të rënda kriminale në Lushnje.

 

Sipas burimeve të policisë, specialet e RENEA-s pasi kanë rrethuar banesën e Haxhi Likës, i kanë bërë thirrje familjarëve që të hapin derën për kontrollin e policisë.

 

Në këtë kohë, Lika ka dalë në dritare me një armë gjahu te cilen e kishte me leje. Në këtë kohë ai edhe është qëlluar me armë zjarri në kokë. Policia në njoftimin e saj nuk thotë se në rrethana është qëlluar i moshuari

 

Por dyshimet janë se ai është qëlluar nga një prej snajperëve që vëzhgonin banesën. Të afërm të familjes së Haxhi Likës, kanë thënë se ngjarja ndodhi kur ata ishin në gjumë.

 

Pas përfundimit të kontrollit, efektivët e RENEA-s ndaluan dy djemtë e Likës, Marin dhe Arben Likën.

 

Ende nuk dihen motivet e ndalimit të tyre apo akuzën që rëndon mbi ta. Hetimet për rastin tashmë po drejtohen nga prokuroria e Lushnjës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *