Përmbytje e bllokime pas reshjeve, shkarkimet “mbytin” Obotin në Shkodër. Shkarje dherash në shumë akse rrugore në vend

Edhe pse gjatë orëve të fundit reshjet e shiut janë ndalur, përmbytjet kanë lënë pas një seri problemnesh: niveli i lumenjve është rritur ndërsa në disa rrugë ka bllokime për shkak të ujit e të rrëshqitjes së dherave.
Qarku Shkodër mbetet një nga zonat më të prekura. Fshati Obot u zgjua këtë të hënë tërësisht i izoluar.
Rruga drejt këtij fshati është tashmë e pakalueshme edhe për mjetet e larta të ushtrisë, ndërsa në përdorim janë rikthyer varkat.
Edhe sipërfaqja nën ujë është zgjeruar në të gjithë bashkinë Shkodër, në 1000 hektarë, dyfishi i asaj të një dite më parë. Banorët thonë se shkarkimet e hidrocentraleve e përkeqësuan gjendjen prej mesnate, ndërsa uji tashmë është prezent në oborret e shtëpive.
Në Lezhë gjithashtu përmbytjet kanë prekur kryesisht tokat bujqësore. Rreth 1,200 hektarë që janë nën ujë, kryesisht në zonat Balldren dhe Zejmen, ndërsa vijojnë verifikimet për dëmet në banesa, pajisje dhe kultura bujqësore.
Në Vlorë nga ana tjetër situata po përmirësohet gradualisht. Niveli i ujit të lumit Vjosë në zonën e Novoselës ka pasur rënie dhe situata po shkon drejt normalizimit, megjithatë mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.
Në Bashkinë Selenicë, vijojnë rrëshqitjet e tokës në fshatin Vajzë dhe në disa akse rrugore rurale, ku qarkullimi kryhet me kufizime.
Në Pogradec janë raportuar shkarje dherash në segmente të rrugëve nacionale dhe rurale si dhe rreth 25 hektarë sipërfaqe toke nën ujë. Në Bashkinë Maliq, si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Devoll, janë përmbytur rreth 3,600 hektarë tokë bujqësore.
Qarku Gjirokastër vijon të ketë problem në disa bashki. Në Bashkinë Gjirokastër, rruga e Qafës së Çajupit mbetet e bllokuar, ndërsa po punohet për përforcimin e argjinaturës së lumit Drino. Në bashkitë Libohovë, Memaliaj, Përmet dhe Këlcyrë janë raportuar rrëshqitje të shumta dherash që kanë bllokuar rrugë rurale dhe kanë rrezikuar banesa, duke bërë të nevojshme evakuime të përkohshme në disa zona. Ndërhyrjet vijojnë në varësi të kushteve të terrenit dhe uljes së prurjeve në lumenj.



