Një ndër dëshirat e fundit ishte rikthimi i bibliotekës së tij në atdhe. Faik Konica la në Amerikë rreth 2000 tituj, një bibliotekë e pasur nga e cila janë zbuluar vetëm 4 vepra. Studiuesi Agron Alibali, që atë kohë ndiqte Harwardin, ka punuar për një monografi të Faik Konicës. Aty u njoh edhe me amanetin e shkronjësit, duke nisur kështu një rrugëtim që përmbushet sot në Tiranë. Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë i janë dhuruar katër tituj nga ato që i përkisnin bibliotekës së Konicës. Ato kanë vulën me inicialet e shkrimtarit, por, edhe dedikimet që Asdreni, Gjergj Fishta dhe Petrota ia dhuruan veprën e tyre Faik Konicës. E ndërsa janë gjetur vetëm 4 nga titujt e bibliotekës së Konicës, Alibali vijon të kërkojë për të tjera vepra që mbajnë vulën e tij. Disa prej tyre mund të jenë djegur, humbur, apo edhe shkatërruar pa ndonjë motiv. të tjera me siguri janë trashëguar apo gjenden në bibliotekat përtej kontinentit, ku u panë për herë të fundit e që presin të kthehen në atdhe, aty ku edhe Konica do të dëshironte të gjendeshin.