Duke marrë shkas nga përhapja e koronavirusit në një fasoneri në Krujë, ish-deputetja demokrate Orjola Pampuri shprehet se qeveria duhet t’i kishte mbyllur që në momentin e parë të shpërthimit të epidemisë. Ajo e ka konsideruar përkeqësimin e situatës me fasoneritë, një dështim të qeverisë.

Pampuri uron që të dhënat të pasqyrojnë realitetin dhe virusi të mos jetë përhapur akoma më shumë.

“Të dhënat zyrtare konfirmojnë shqetësimin e Partisë Demokratike se mbajtja hapur me kokëfortësi e fasonerive i ka kthyer ato në vatra të rrezikshme të përhapjes së infeksionit. Në Krujë, sot ka më shumë të infektuar se dje. Janë 18 persona të tjerë që kanë rezultuar pozitiv. Të gjithë punonjës fasonerie, kryesisht gra dhe vajza. Brenda pak ditësh, një person i vetëm ka kontaminuar 86 të tjerë.”

Sipas saj, kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar me forcë mbylljen e fasonerive dhe rezultati i kësaj vendimarrjeje ka sjellë 86 persona të infektuar me COVID-19 vetëm nga një kontakt që punon aty. Ndërsa shton që mbështetja financiare dhe mbyllja e fasonerive është masa e duhur për ndalimin e përhapjes së virusit.

“Gjobat ndaj bizneseve të fasonerive, që punësojnë rreth 70 mijë gra e vajza është mënyra e gabuar për të menaxhuar situatën. Duhet mbyllja e tyre, e shoqëruar me një mbështetje financiare. Sa më shpejt, aq më mirë! Është e pandershme nga ana e Edi Ramës që  përdor dy standarde të ndryshme për të njëjtën situatë. Për sigurinë e vetes, të familjes dhe bashkëpunëtoreve të tij, Rama përdor komunikimin online, ndërsa mijëra gra e vajza, si dhe familjet e tyre i ka lënë nën terrorin psokologjik të infeksionit në vendet e punës.”

Mes të tjerash, Pampuri thekson se Rama nuk dëshiron që të sakrifikojë nga paratë që ndan me oligarkët, andaj është i gatshëm të “luajë boixhoz me jetën dhe shëndetin” e shqiptarëve.

“Ka vetëm një arsye pse Edi Rama është i gatshëm të luajë bixhoz me jetën dhe shëndetin e 70 mijë nënave dhe motrave. Ai nuk do që të sakrifikojë nga paratë që ndan me një grusht oligarkësh për disa koncesione korruptive. Anullimi i pagesave për inceneratorët,  Tiranës, Fierit dhe Elbasanit mbulon koston e pagesës minimale për 70 mijë gra e vajza të fasonerive. Ndihmon që virusi të mos përhapet dhe biznesi të mos falimentojë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *