Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili kërkoi këtë të shtunë që menaxhimi i situatës për përhapjen e koronavirusit t’i lihet në dorë Institutit të Shëndetit Publik. Në një deklaratë për shtypin, Vasili tha se duhet të merren masat, ndonëse ende nuk ka raste të konfirmuara në Shqipëri.

 

“Me qenë se problemi kërkon në radhë të parë dhe mbi çdo gjë, një sjellje thellësisht profesionale, Instituti i Shëndetit Publik duhet të jetë ai që duhet të marrë në duar lidershipin, pasi disponon të gjithë autoritetin shkencor dhe profesional, por disponon njëherazi dhe një laborator shumë të mirë dhe të akredituar, për vendosjen e diagnozës, një laborator që funksionon më së miri dhe është certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që prej vitit 2010, duke konsoliduar një aftësi diagnostike të nivelit ndërkombëtar. Insistoj te marrja e udhëheqjes nga Instituti i Shëndetit Publik pasi kjo siguron përballim profesional, siguri të opinionit publik në informacionin që merr dhe eviton në një rast politizimet e panevojshme të cilat nuk e ndihmojnë situatën.”

 

Vasili theksoi se duhet që edhe karantinat të bëhen publike dhe madje të vihen disa prej tyre edhe në pikat kufitare.

 

“Është shumë e nevojshme për opinionin publik dhe median e cila është një aleat i paçmuar në këtë moment që të gjitha ambientet karantinore të cilat nuk mund të jenë të kufizuara vetëm në një vend të vetëm, por duhet të predispozohen në pika kufitare të cilat janë gjithmonë pika risku. Të jenë të pajisura, të bëhen publike , të njihet situata e tyre  dhe të jenë në gatishmëri 24 orë duke izoluar, eventualisht nëse ka, çdo rast të dyshimtë i cili do të kishte kontakt me zonat e infektuara.”

 

Petrit Vasili bëri thirrje që njerëzit të mobilizohen, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë kërkoi që të ruajë gjakftohtësinë në komunikimet e përditshme.

 

“Është shumë e nevojshme në situata të tilla të cilat kërkojnë mobilizim njerëzit, të aftë dhe të zotë, nuk duhet hezituar që edhe specialistë për eksperiencë të gjatë edhe në përballimin e epidemive të rëndësishme dhe të rrezikshme të së shkuarës dhe që kanë ditur ti përballojnë me sukses, e të cilët nuk janë aktiv në punë sepse mund të ndodhen edhe në pension, mund të aktivizoheshin përkohësisht në situata të tilla pasi do të jepnin një kontribut shumë të çmuar. Si çdo emergjencë e shtetit publik unë do të bëja thirrje të gjithë personave që drejtojnë ministrinë e shëndetësisë të jenë të qetë në komunikimet e tyre të evitojnë të gjitha nervozizmat në momentet e caktuara me ngjyrime të lehta arrogance.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *