Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkarkuar nga detyra këtë të mërkurë ministrin e Brendshëm, Agim Veliu. Përmes një deklarate për mediat, Kurti rendit dy arsye për këtë vendim. Sipas kreut të qeverisë kosovare, Veliu ka kundërshtuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga Presidenti Hashim Thaçi dhe ka përhapur panik për koronavirusin.

 

“Ai, gjithashtu, në këtë deklarim, përhapë panik duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”. As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë. Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi Korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime. Në këto rrethana jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Unë kam njoftuar Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për vendimin që kam marrë dhe po ashtu kam kërkuar prej tij që sa më shpejtë të ma dërgojë emrin e ministrit të ri.”

 

Teksa i kërkon bashkëqeveritarit të tij Isa Mustafa që të propozojë një emër të ri në krye të Ministrisë së Brendshme, Albin Kurti sqaroi se deri në këtë moment detyrat do të kryhen nga zëvendësministri Xhelal Sveçla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *