Pak ditë para samitit historik mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, ky i fundit ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm Rus Sergei Lavrov në Phenian këtë të enjte.

 

Kreu i diplomacisë ruse, gjatë takimit me liderin e vendit komunist ka garantuar mbështetjen e plotë të Rusisë për vendosjen e paqes në Gadishullin Korean, si dhe i ka bërë thirrje Uashingtonit të mos ushtrojë presion të panevojshëm ndaj Phenianit në prag të samitit të Singaporit.

 

Lavrov bisedoi me homologun e tij koreano-verior Ri Yong-Ho, lidhur me situatën në gadishull. Gjatë një konference për shtyp ai tha se denuklearizimi i Veriut do të ndodhë në mënyrë graduale.

 

Nga ana tjetër, krahu i djathtë i Kim Jong-Un u takua me sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo në Nju Jork. Përfaqësuesit koreano veriore, mes tyre ish shefi i inteligjencës njëherësh mik i ngushtë i Kim mësohet se kanë diskutuar me Pompeo rreth samitit të Singaporit më 12 qershor, fokusi i të cilit është tek një çështjeje të vetme: programi bërthamor.

 

Pavarësisht se presidenti Trump njoftoi një javë më parë anulimin e samitit me diktatorin Kim Jong Un, javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë konfirmoi edhe njëherë se përgatitjet janë ende në proces dhe se të dyja palët po bëjnë përpjekje për realizimin e këtij takimi, i pari mes një presidenti amerikan  dhe një lideri koreano-verior. Lidhur me takimin mes Lavrov dhe Kim Jong Un, ende nuk ka një reagim nga Shtëpia e Bardhë, apo presidenti Trump.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *