Uashingtoni dhe fuqitë e tjera perëndimore kanë deklaruar se nuk do të heqin dorë nga sanksionet ndaj Rusisë. Presidenti Xho Bajdën nënvizoi se mbetet për tu parë sesi do të veprojë Moska pas dakordësive të arritura një ditë më parë me palën ukrainase, në Stamboll.

 

JOE BIDEN

PRESIDENT, SHBA

 

“Do të shohim. Nuk mund të besoj vetëm në fjalë të thëna, do të shohim veprimet që do të ndërmerren pas kësaj. U konsultova me aleatët tanë, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe, ne do të vazhdojmë me sanksione të forta dhe të ndihmojmë Ukrainën me armë që të mund të mbrojë veten. Dhe do të ndjekim me shumë vëmendje atë që po ndodh.”

 

Ndërkohë, Pentagoni ka paralajmëruar se nuk ka një tërheqje të trupave ruse por një ripozicionim të tyre, ndërsa sulmet kanë vijuar edhe pas mbylljes së negociatave.

 

JOHN KIRBY

ZEDHENES, PENTAGON

“Ne besojmë se trupat ruse po ripozicionohen, nuk po tërhiqen prandaj duhet të jemi të përgatitur për sulem të tjera madhore në Ukrainë, rreziku nuk ka përfunduar ende. Edhe sot sulmet me raketa vazhduan në kryeqytet, pavarësisht progresit të deklaruar në negociata. ”

 

Sakaq, ministria britanike e mbrojtjes ka deklaruar se Rusia po has vështirësi që të mbajë më shumë se një front të ofensivës dhe njësitë që kanë pësuar humbje të mëdha janë detyruar që të kthehen në Rusi e Bjellorusi për t’u rifurnizuar dhe riorganizuar.

 

Forcat ruse me gjasë do të kompensojnë aftësinë e reduktuar të manovrimit tokësor përmes sulmeve masive të artilerisë dhe sulmeve me raketa.

 

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski gjithashtu ka paralajmëruar se rreziku për sulme masive është ende i lartë dhe këtë e tregon situata në terren. Edhe në ditën e 35 të luftës, kanë vijuar bombardimet dhe sulmet me raketa në qytetet më të mëdha të vendit.

 

Sipas OKB-së, më shumë se 3.9 milionë ukrainas janë larguar nga vendi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *