Ish-koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi e konsideron situatën e tensionuar brenda kampit opozitar, një telenovelë që duhet të marrë fund njëherë e mirë.

 

Në një intervistë për gazetarin Roland Zili në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Patozi vlerëson se ashpërsimi i retorikës nga ana e Berishës dhe Bashës tregon se të dyja palët po përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për ta mposhtuar politikisht kundërshtarin.

 

“Të dyja palët i kanë hequr dorezat dhe janë të gatshëm që të ecin me maksimumin e forcës drejt objektivave të tyre. Unë tani besoj gjithçka. Ashpërsimi i retorikës do të thotë që të dyja palët do të përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për ta likuiduar kundërshatrin. Berisha ka përmendur termin “revolucion paqësor”, që i drejtohet Bashës, kërkon ta trembë Bashën që të tërhiqet nga pozicioni i tij. Ajo që unë mendoj është që PD duhet të pranojë që ka të bëjë më dy entitete të ndryshme politike brenda saj. E bukura është që sa më shpejt që të ndahet, aq më kollaj mund të shpëtojë nga kjo krizë e brendshme. Ekzistenca e dy kuvendeve brenda një jave nuk është gjë tjetër vetëm finalizimi i dy aksioneve brenda PD-së që ecin në drejtim të kundërt. Unë parashikoj që PD ka dy rrugë, ose të ndahet sa më shpejt që t’i lejojë vetes rikuperimin deri në zgjedhjet e ardhshme, ose përndryshe zgjatja e agonisë do ta shtojë koston që do të paguhet nga demokratët. Berisha dhe Basha janë përgjegjësit e kësaj gjendjeje dëshpëruese.”

 

Me bindje, Patozi pohon se nuk shikon rrugë për kompromis.

 

“Nëse palët arrijnë kompromis, kjo i përket të ardhmes së largët.”

 

Por, si e lexon Astrit Patozi të ardhmen e opozitës?

 

“Duhet të konsumohet patjetër kjo dramë dhe telenovelë që po luhet në skene PD-së. Shpresoj që të zgjojë reagimin e vetë demokratëve. Të ardhmen e opozitës e parashikoj si një konfederatë, ku PD nuk mund të ketë patjetër rolin e vetë udhëheqës, sepse ajo e humbi këtë shans, por besoj në një spektër opozitar me shumë ngjyra mund ta ringjallë shpresën për rrëzimin e një mazhorance që e ka bërë baltë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *