Për të dytën ditë, protestuesit refuzojnë thirrjen e Ramës për dialog, heqin karriget para kryeministrisë

Studentët dhe pedagogët, për të dytën ditë resht, kanë refuzuar ftesën për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke hedhur karriget e vendosura përpara godinës së Kryeministrisë. Protestuesit kanë vijuar thirrjet “Dorëheqje!”, duke kërkuar largimin e kreut të qeverisë.
Kreu i qeverisë vendosi edhe një ditë më parë karrige para godinës së kryeministrisë, si një ftesë për dialog me studentët. Por edhe një ditë më parë, karriget u hoqën dhe ftesa e tij u refuzua.
Protesta e sotme shënon ditën e nëntë të tubimeve studentore, të cilat vijojnë me kërkesën për ndryshime dhe reagim ndaj shqetësimeve të ngritura nga të rinjtë.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, kësaj here protestës i janë bashkuar edhe pedagogët e universiteteve publike, të cilët kanë nisur bojkotin e mësimdhënies.
Përpara se të mbërrinin para Kryeministrisë, studentët dhe pedagogët u mblodhën pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Më pas, ata nisën marshimin përgjatë bulevardit, duke iu drejtuar godinës së qeverisë, ku vijuan protestën dhe thirrjet kundër kryeministrit.




