Pedagogia e UBT: Protesta kaloi nga paqësore në të dhunshme pasi nuk u dëgjuam nga Kryeministri

Pedagogia e UBT-së, Alketa Grepsha, në një lidhje me studion e “Të Paekspozuarit” të moderatorit Ylli Rakipi në Vizion Plus, ka folur mbi protestën që po zhvillohet në Tiranë për të tetën ditë me radhë.
Grepsha tha se arsyeja pse protesta eskaloi në dhunë është se kryeministri Edi Rama nuk i dëgjoi protestuesit për më shumë se 130 ditë.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Pse jeni bashkuar me studentët në protestë dhe si u bashkuat?
Alketa Grepsha: Tashmë kjo nuk është më protestë. Kryeministri e quajti luftë hibride, kurse vetë protestuesit e rinj, pasi kjo nuk është më një lëvizje studentore, por aty marrin pjesë gjimnazistë, studentë dhe të rinj që mbarojnë punën dhe i bashkohen protestës, e quajnë revolucion.
Së dyti, besoj se nuk është më një revolucion kundër një qeverie, por kundër një regjimi. Ditët e fundit kjo nuk është luftë kundër policisë, por po shkojmë drejt një junte policore. Po shohim policinë që po hyn atje ku nuk e lejon as ligji.
Si iu bashkova protestës? Normalisht, i jam bashkuar protestës së “Flamingos” me shumë pedagogë dhe studentë për ditë me radhë, por nuk morëm asnjë përgjigje, derisa kjo protestë e “Flamingos” gati po shuhej.
Rakipi: Ju thatë se u reduktua. Kjo është arsyeja pse protesta kaloi në një stad tjetër?
Alketa Grepsha: Po, sepse në shumë diskutime e biseda u duk e tepërt që gjatë këtij 130-ditëshi proteste të merrnim një reagim nga qeveria. Të gjithë filluan të mendonin për veprime të mëtejshme. Tani u përballëm me lëvizjen studentore, që ka një pikë të vetme: largimin e Ramës dhe të qeverisë.



