Pedagogë dhe studentë para Kryeministrisë, refuzojnë dialogun dhe kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Pedagogë dhe studentë janë grumbulluar para Kryeministrisë, në ditën e 8-të të protestës kundër qeverisë.
Me thirrjen “Pa dorëheqje nuk ndalojmë!”, akademikët dhe profesorët përcollën mesazhin e tyre përmes protestës para selisë së qeverisë, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe largimin e Ramës nga detyra.
Pedagogët kanë njoftuar se do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 para Kryeministrisë, duke e kthyer këtë qëndrim në një formë të vazhdueshme proteste. Ata i janë bashkuar tanimë revoltës studentore e cila sot ka hyrë në ditën e 8-të.
Në reagimin e tyre, akademikët, pedagogët dhe studentët kanë ngritur shqetësime edhe për funksionimin e Parlamentit, për të cilin shprehen se ka pushuar së funksionuari dhe duhet të shpërndahet.




