Komiteti i jashtëm i Parlamentit Europian ka diskutuar përreth 1 orë për procesin e përgatitjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
“Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm dhe mbetet e përkushtuar në qëllimin e saj për të përmbyllur negociatat për anëtarësim në vitin 2027. Por ka ende punë përpara, sidomos përsa i përket zbatimit të reformave që lidhen me kapitullin e themeloreve dhe shtetin ligjor. Ne gjithashtu vazhdojmë të shohim një polarizim të fortë në Shqipëri që qartësisht nuk ndihmon vendin”, tha Alberico Gambino, zv/kryetar i Komitetit të Jashtëm.
Sipas kërkesës së europarlamentarëve, partitë politike dërguan në Bruksel dy përfaqësues nga shoqëritë civile dhe bota akademike, Partia Socialiste Gledis Gjipalin dhe Partia Demokratike Artan Hoxhën.
“Situata në Shqipëri tani që jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare ka qenë në përgjithësi e qetë. Ndryshe nga zgjedhjet e tjera ku ne kemi parë shumë kërcënime për bojkot apo ankesa për organizimin e zgjedhjeve. Mazhoranca, PS, po kërkon mandatin e 4 dhe po garon mbi premtimin për vazhdimin e reformave dhe bërjen gati të vendit për përfundimin e negociatave në 2027”, deklaroi Gledis Gjipali.
Opozita e udhëhequr nga PD po garon me tezën e antikorrupsionit, një axhendë më populiste dhe e ndikuar nga fushata e Trump, pasi kanë punësuar edhe strategjistin kryesor të fushatës së Trump.
“Pritshmëritë e mia janë negative, zgjedhjet e 2025 do të jenë më keq se ato të 2021. Kufijtë mes shtetit dhe partisë në pushtet janë zhdukur, krimi i organizuar ka mbështetur në zgjedhjet e kaluara fitoren e PS, sistemi i drejtësisë në zgjedhjet e kaluara ka dështuar të ndëshkojë krimin e organizuar dhe kjo do të inkurajojë që ata të vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë”, tha Artan Hoxha.
Diskutimet e europarlamentarëve reflektuan aleancat që dy partitë e mëdha kanë në Bruksel, përfaqësuesit e Partisë Popullore Evropiane mbrojtën tezat e PD, ndërsa të majtët në Parlamentin Evropian interesat e PS.
“Ne po flasim për një situatë shumë të polarizuar dhe ne po sjellim këtu këtë polarizim. Kjo nuk ndihmon marrëdhëniet e Parlamentit dhe Bashkimit Evropian me vendin. Kur e diskutuam këtë seancë kolegët insistuan që ti japin një zë opozitës dhe e mbaj mend që thashë ne nuk jemi vendi për debatin e brendshëm politik, ne jemi Bashkimi Evropian. Dhe kolegu mori atë që donte ekzaktësisht, i dha zë opozitës. Ne ramë dakord të kishim këtu akademikë dhe pamë qëndrime shumë politike. Dhe unë do u bëja apel kolegëve, ju lutem frenohuni të mos përfshiheni në debate përpara zgjedhjeve”, u shpreh N.Sanchez Amor.
“Bazuar edhe mbi diskutimet sot, unë do doja të shprehja shqetësimin tim të thellë për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri, veçanërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare. Nëse ka shqetësime serioze, ne nuk duhet t’i neglizhojmë ato, edhe pse social-demokratët duan të bëjnë kështu. A duhet të ndihmojmë Shqipërinë t’i shmangë disa gabime apo duhet të shqetësohemi pasi ato të ndodhin? Ne duhet të diskutojmë dhe të vëzhgojmë fushatën elektorale dhe zgjedhjet nga afër, pasi ka pasur probleme në zgjedhjet e kaluara. Blerja e votës, manipulimi i listës së votuesve dhe abuzimi me burimet shtetërore nuk janë gjëra të reja për Partinë Socialiste në pushtet. Për një vend kandidat për në BE, nuk është kjo mënyra si zhvillohen zgjedhjet”, tha Riho Terras.
Kërkesa për seancën dëgjimore në Parlamentin Evropian u bë nga Partia Demokratike, e cila kërkon të ndërgjegjësojë faktorin ndërkombëtar për zgjedhjet e 11 majit.
/vizionplus.tv





