Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama e kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, se kanë mashtruar studentët në lidhje me kushtet në Qytetin Studenti.

 

Në një deklaratë për mediat, ish-deputetja Pampuri denoncoi rrëziomin e tavaneve në një prej konvikteve që u rikonstruktua pas protestës së studentëve.

 

“Tani, fasada e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt ka rënë dhe vjedhjes me paratë e studentëve i ka dalë boja vetëm 4 muaj pas rikonstruksionit, të inauguruar me zhurmë të përditshme propagandistik nga kampionët e korrupsionit me fasadat. Dokumentat zyrtare tregojnë se për suvatimin që ka rënë në godinat e studentëve, bashkia e Tiranës ka paguar 200 milionë lekë. Në këtë tender për vetëm 4 godina, si në shumë tendera të Bashkisë së Tiranës, nuk ka fituar oferta më e ulët. Kjo do të thotë se, megjithëse punimet janë kryer me më shumë para, ato janë kryer keq dhe kanë vënë në rrezik studentët.”

 

Duke e cilësuar si një tregues të qartë të propagandës së qeverisë, Pampuri theksoi se Bashkia ka paguar 200 milionë lekë vetëm për restaurimin e godinave ndërsa kërkoi që kryebashkiaku të mbajë përgjegjësi pasi ka vendosur në rrezik jetën e studentëve.

 

“Me 200 milionë lekë, të hedhur në bojën e propagandës së Edi Ramës dhe Erion Veliajt, jeta e studentëve nuk është bërë më e mirë që nga protesta e 10 muajve më parë. Përkundrazi! Për hir të pushtetit, është rrezikuar jeta e fëmijëve tanë. Erjon Veliaj dhe Edi Rama duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë! Studentët nuk e meritojnë të jenë të rrezikuar në strehën që u siguron shteti. Ata nuk meritojnë të jenë të mashtrohen, të tradhëtohen dhe të braktisen sipas modelit të mjerë dhe korruptiv të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *