E martë, 20 Tetor 2026 Det i Trazuar deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

PD shkresë Peleshit: Kuvendi të mblidhet urgjent, të diskutohet për dhunën ndaj studentëve dhe protestën

Partia Demokratike përmes një shkrese drejtuar kreut të Kuvendit Niko Peleshi, ka kërkuar mbledhje urgjente të Kuvendit.

Dhuna e policisë ndaj të rinjve dhe protesta kundër qeverisë, janë temat kryesore për diskutim.

Reklamë

NJOFTIM PËR SHTYP

Prej tetë ditësh, studentët dhe të rinjtë shqiptarë vijojnë protestën e tyre kundër arrogancës, keqqeverisjes, korrupsionit qeveritar dhe braktisjes nga ana e Qeverisë, duke artikuluar si kërkesë të vetme largimin e Kryeministrit Edi Rama.

Reklamë

Gjatë këtyre ditëve të protestës, ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kemi konstatuar akte të rënda dhune ndaj studentëve dhe të rinjve. Këto akte, të cilat dëshmojnë një përdorim shqetësues dhe të papranueshëm të forcës nga Policia e Shtetit, nuk kanë kursyer as të miturit, gratë dhe vajzat. Si pasojë, janë raportuar dëmtime të rënda fizike, përfshirë fraktura të gjymtyrëve, dëmtime në kokë, lëndime të tjera trupore, si dhe dëmtime të shkaktuara nga përdorimi i plumbave të gomës dhe i lëndëve kimike.

Përballë kësaj situate të paprecedentë, është veçanërisht shqetësues që Kuvendi i Shqipërisë jo vetëm nuk ka ndërmarrë hapa për të kërkuar llogaridhënie institucionale lidhur me veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve, sipas konstatimeve të bëra gjatë protestave, nuk mbanin mjete identifikimi, por ka anuluar edhe seancën plenare të parashikuar, pa njoftim paraprak dhe pa dhënë një shpjegim të arsyetuar për këtë vendim.

Në këto kushte, duke vlerësuar seriozitetin e situatës dhe nevojën për ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe institucionale të Kuvendit, në mbështetje të nenit 31 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë thirrjen e një seance plenare brenda ditës së sotme ose, në alternativë, ditën e mërkurë, me rend dite të kufizuar në pikën e mëposhtme:

–         “Diskutimi mbi protestën e studentëve dhe të rinjve, kërkesën e tyre për largimin e Kryeministrit Edi Rama, si dhe aktet e dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj të miturve, studentëve dhe të rinjve”.

Vlerësojmë se Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin institucional të garantojë transparencën, llogaridhënien dhe shqyrtimin parlamentar të kësaj situate, duke bërë të mundur diskutimin e saj në një seancë plenare dhe duke kërkuar përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit të konstatuar. Duke ju kërkuar të merrni masat e nevojshme për shqyrtimin e kësaj kërkese me urgjencë, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, presim marrjen e masave për thirrjen e seancës plenare të kërkuar

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.