Partia Demokratike përkujtoi sot lëvizjen e studentëve më 8 dhjetor të vitit 1990, duke marshuar nga Qyteti i Studentit drejt selisë së qeverisë.
Me parullën “Lindëm në demokraci, jetojmë në diktaturë”, Forumi Rinor i Partisë Demokratike, së bashku me liderin e opozitës, Sali Berisha, protestuan para Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të 11 majit.
Në shenjë revolte, të rinjtë dogjën manekinë me fotot e Kryeministrit Edi Rama, Erion Veliajt dhe Ogerta Manastirliut.
Më herët, në sheshin “Demokracia”, kreu i PD-së, Berisha, u bëri apel të rinjve që, njësoj si studentët 34 vite më parë, të ngrihen për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.
“Le të ngrihemi ne, në lartësinë e idealeve të atyre që shembën diktaturën komuniste, për të shembur diktaturën më të keqe që kanë njohur shqiptarët: diktaturën e drogës, krimit dhe vjedhjes së tyre,” tha Berisha.
Nga Qyteti i Studentit, Berisha deklaroi se mosbindja civile do të vazhdojë deri në krijimin e qeverisë teknike.
“Ju garantoj se ky pushtim, me sulmin tuaj, do të shkrihet si bora para diellit të nxehtë dhe ne do të shkojmë në zgjedhjet e 11 majit të sigurt në fitoren, të sigurt që do të pastrojmë shtëpinë tonë, që Zoti të hyjë brenda në këtë shtëpi,” shtoi kryetari i PD-së. /vizionplus.tv





