E shtunë, 19 Shtator 2026 Lajme Ora 7:00 deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Mes'drite Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

PD propozon 11 masa kundër koronavirusit: Është koha për kujdes maksimal

Ilustrim · Vizion Plus

Partia Demokratike ka propozuar 11 masa që sipas saj, duhet të merren për të përballuar koronavirusin. Grupi i punës i ngritur në PD për situatën e koronavirusit deklaroi për mediat se duhet të ketë komunikim të përditshëm me qytetarët dhe që stafet mjekësore të pajisen me masa mbrojtëse.

 

-Komunikim tejet transparent dhe disa herë në ditë me popullatën ne lidhje me situatën aktuale dhe masat e marra nga qeveria.

-Prioriteti i rëndësishëm është marrja e masave urgjente në lidhje me mbrojtjen e personelit shëndetësor dhe lehtësimin e punës së tyre në funksion të popullatës. Për këtë është e rëndësishme të veprohet me shpejtësi nga ana e qeverisë në mënyrë të organizuar, me mendje të kthjellët dhe pa panik.

-Pajisja e personelit me mjetet mbrojtëse (antivirus protection kit, maskat N95, tutat mbrojtëse, syzet apo vizierat që mbulojnë fytyrën, dorezat, qeset me qafa për veshjen e këpucëve dhe qeset për mbledhjen e mbetjeve).

-Marrja e masave për pajisjen adekuate me mjetet mbrojtëse për autoambulancat transportuese dhe stafin mjekësor të tyre.

 

Doktoreshë Mirela Tabaku, që është pjesë e grupit të punës në PD, shtoi se duhet të ketë një fond të detyrueshëm nga ana e qeverisë për menaxhimin e situatës. Po ashtu, demokratët theksuan se një pikë mjaft e rëndësishme është edhe vetëkarantimi.

 

-Bërja gati e çdo strukture të shërbimit parësor apo sekondar spitalor në çdo cep të Shqipërisë.

-Fuqizimi dhe shtimi i kapaciteteve te laboratorëve, jo vetëm i atyre epidimiologjikë, viralë, por kudo që ato janë.

-Mobilizimi dhe vënia në dispozicion e gjithë personelit mjekësor, i cili sot nuk është aktiv, mjekë epidimiologë, infeksionistë apo edhe të specialiteteve të tjera dhe që janë aktualisht në pension.

-Rritja e kujdesit dhe promovimi i masave parandaluese për të gjithë popullatën dhe për personelin mjekësor në të gjitha mediat.

-Karantinim i detyruar për personat që kanë kontakt me të infektuarit dhe vetëkarantinim vullnetar për personat që vijnë nga zona të infektuara.

-Sigurimi i fondeve të detyrueshme nga ana e qeverisë.

-Zbatimi me përpikmëri i të gjithë masave dhe protokolleve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

 

Kryedemokrati Lulzim Basha nënvizoi se tani është koha që të flasin mjekët dhe që të ruhet qetësia.

 

“Të gjithë duan të dëgjojnë zërin tuaj. Sa më shumë të flisni ju aq më të qetë do të jenë qytetarët. Të gjithë ju që vini nga Italia e veriut dhe që keni simptoma kontaktoni mjekët dhe shmangi kontaktet me të afërmit. Sot nuk është koha për panik por për kujdes maksimal. Sa më të kujdesshëm të jeni sot aq më mirë do të përballohet kjo situatë me pasoja minimale.”

Redaksia Web
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh