Eksperti i ekonomisë, Azmi Stringa vlerëson se në programin elektoral të PD nuk tregohet se çfarë do të ndodhë me oligarkët apo me korrupsionin. Në një intervistë për “Quo Vadis”, Stringa u shpreh se për këto çështje duhet një përgjigje sepse vetëm në këtë mënyrë fitohet besim tek qytetarët.

 

“Tani ulja e taksave për ta bërë sistemin më të mirë është diçka më vete nga lufta e korrupsionit. Kjo pjesë, se çfarë do bëhet me korrupsionin, çfarë do të bëhet me oligarkët, çfarë do të bëhet me evazionistët e mëdhenj, ende unë nuk kam parë një plan të qartë. Vetëm atëherë programi bëhet i besueshëm, me hapa konkretë dhe me zëra konkretë të të ardhurave, pra si ne do të merremi me evazionistët e mëdhenj, si ne do të eliminojmë trajtimet fiskale preferenciale që thotë FMN-ja të bëra për emra të veçantë. Kush janë këta emra të veçantë? Kush janë këto politika të veçanta? Vetëm kështu qytetarët marrin drejtësi, sepse shqiptarët nuk janë sot dhe nuk mundet t’i gënjejmë lehtë nëse nuk i themi që nuk duam vetëm taksa më të ulta, por duam dhe drejtësi, pra duam të dimë se kush do ma financojë mua nesër nevojën për arsim, apo më shumë investime në shëndetësi, pra kush janë këta që e kanë bërë këtë gjë, çfarë masash konkrete do ndërmarrim ne që të mos zhgënjehemi si në 2013. Unë pres që të ketë një përgjigje për oligarkët, nisur nga shqetësimet që janë ngritur ndër vite, duhet tani t’i japësh përgjigje konkrete, në të kundërt nuk bëhesh i besueshëm”, deklaroi eksperti i ekonomisë për “Vizion Plus”.

 

Duke komentuar edhe premtimin e demokratëve për të zëvendësuar taksën progresive me atë të sheshtë, Stringa sqaroi se në të vërtetë PD ka propozuar një taksë progresive, por me normë më të ulët taksimi. Megjithatë ai e përgëzoi PD për faktin se nga kjo skemë taksimi, sipas tij, përfiton shtresa e mesme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *