Për të dytën herë, Partia Demokratike iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar anulimin e portit të jahteve në Durrës, i cili po ndërtohet nga investitori arab Mohamed Alabar.
Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi, i bëri apel gjyqtarëve që të mbrojnë interesin e qytetarëve të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, duke anuluar një projekt që, sipas opozitës, përbën një prej aferave më të mëdha korruptive.
“Deputetët e PD-së kanë sjellë këtë kërkesë të dytë para Gjykatës Kushtetuese me shpresën se Gjykata Kushtetuese do të ketë gatishmërinë që Kushtetutën ta përdorë si mburojë për interesin publik, të qytetarëve dhe jo për interesin strategjik të Kryeministrit dhe investitorit privat, mik e shok të Kryeministrit,” tha Oerd Bylykbashi.
Bylykbashi vuri në dukje se prishja e portit për t’i hapur rrugë projektit të Mohamed Alabar do t’u kushtojë shumë shqiptarëve.
“Porti i Durrësit sot po grabitet, për ta kthyer në një projekt zhvillimi që zhduk portin e Durrësit. Ky projekt u krijon qytetarëve jo vetëm një barrë financiare të jashtëzakonshme, por ringritja e këtij porti do të kërkojë rreth 2 miliardë euro, të cilat shqiptarët do t’i paguajnë nga xhepi i tyre me taksa, për ndërtimin e një porti që ende nuk ka nisur. Ndërkohë, do të zhduket një nga asetet më të mëdha, nyje të trafikut ndërkombëtar të pasagjerëve dhe mallrave, si dhe një aset i rëndësishëm jo vetëm për çështjet e sigurisë publike, por edhe të sigurisë kombëtare,” shtoi ai.
Partia Demokratike, që prej fillimit, është pozicionuar kundër ndërtimit të portit të jahteve në Durrës. Përveç betejave në Gjykatën Kushtetuese, ajo e ka çuar këtë çështje edhe në SPAK. /vizionplus.tv