Partia Demokratike po tenton të krijojë aleancë me çdo faktor opozitar me sloganin “Zgjidhje për Shqipërinë”, para se të nisë protestat kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Në një tryezë ku morën pjesë figura të shoqërisë civile, përfaqësues të biznesit dhe aleatët tradicionalë të PD-së, Sali Berisha deklaroi se protestat janë e vetmja rrugë për largimin e kryeministrit Edi Rama.
“Mendoj se duhet të ngrihemi, duhet të ngrihemi në një përpjekje të madhe qytetare për të larguar nga pushteti këtë bandë, këtë organizatë kriminale, me në krye Edi Ramën. Ideja se mund të vijnë të na e heqin nga jashtë është e gabuar. Ideja se mund të hiqet me procese gjyqësore është po kaq e gabuar, sepse ai bllokon”, tha Berisha.
Berisha sqaroi se protestat e opozitës do të kenë vetëm një kërkesë, krijimin e një qeverie teknike e cila, përveç zhvillimit të zgjedhjeve, duhet të ketë si detyrë të mbrojë SPAK-un.
“Ne kërkojmë një qeveri teknike thjesht me dy objektiva. Së pari, përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ato nuk ekzistojnë më. Së dyti, qeveria do të ketë detyrë të mos pengojë drejtësinë. Drejtësia nuk është e pagabueshme, por drejtësia nuk pengohet”, u shpreh Berisha.
Berisha shfrytëzoi këtë takim për t’iu kundërpërgjigjur edhe kryeministrit Edi Rama dhe deklaratave të tij në Komitetin e Emergjencave.
“Iu bëj thirrje qytetarëve, kudo që të shihni ministra, i gjuani me vezë ose domate. Këta janë shkaktarë kryesorë të fatkeqësive tuaja. I dëgjuat sot, po shpifet. Çfarë po shpifet? Më falni, dy hidrovorët e Durrësit, ai i Hamallës pa asnjë pompë në funksion, të vjedhura pompat dhe motorët e pompave”, tha Sali Berisha.
Gjatë tryezës pati disa propozime, nga ideja për ngritjen e çadrave para Kryeministrisë, tek zhvillimi i një proteste në datën 22 janar, kur Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë pezullimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Vetë kryetari i PD-së, Sali Berisha, preferoi të mos thotë një datë, por sqaroi se protestat do të zhvillohen çdo ditë.
“Protestë e vazhdueshme do të thotë që sheshi do të mbushet çdo ditë”, tha ai.
Pavarësisht përpjekjeve të PD-së, tryeza sot u bojkotua nga drejtuesit e partive të reja parlamentare, Arlind Qori, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj.
/vizionplus.tv





