PD mbledh Kryesinë, Berisha: Rama ka humbur logjikën, po kërcënon protestuesit si paraardhësit e tij “xhelatë”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për kërcënime ndaj protestuesve, duke deklaruar se mbledhja e kryesisë së PD-së zhvillohet në prag të protestës kombëtare kundër qeverisë të lajmëruar nga studentët ditën e shtunë.
Në deklaratën e tij, Berisha pretendoi se Rama ka humbur logjikën për shkak të frikës nga protesta dhe e akuzoi për përdorimin e gjuhës kërcënuese ndaj qytetarëve që kundërshtojnë qeverinë.
“Edi Rama, nga paniku i tmerrshëm që e ka ngërthyer, frika e madhe se dita e llogarisë po vjen, ka humbur logjikën, arsyen dhe është lëshuar në kërcënime bajate, vulgare që faktojnë të gjithë arketipin e tij psikologjik, genet e paraardhësve të tij prej xhelatësh”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së u ndal edhe te ftesa e Ramës për dialog me protestuesit, si dhe te takimi i kryeministrit me drejtuesit e sistemit bankar, duke pretenduar se qeveria po përpiqet të ushtrojë presion mbi protestën.
“Në mëngjes i fton për dialog. Pasi ia përmbysin karriget, del tani me fjalim tjetër me bankierët dhe mendon se fuqia monetare e bankave do mund ta kthejë kundër protestës”, u shpreh ai.
Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin se ka paralajmëruar masa ndaj protestuesve, përfshirë bllokimin e shërbimeve dhe detyrimin për të paguar dëmet e shkaktuara gjatë protestave.
“Sot ai kërcënoi protestuesit për blacklistime, për linçime, për heqje pasaportash udhëtimi, për bllokim të transportit publik. I nxjerr të gjitha nga arkiva e etërve të tij”, tha Berisha.
Gjatë deklaratës, kreu i opozitës hodhi akuza ndaj qeverisë për korrupsion, menaxhimin e fondeve publike dhe projektet infrastrukturore. Ai përmendi inceneratorët, portin e Durrësit dhe aeroportin e Vlorës, duke pretenduar se qytetarët nuk mund të mbajnë përgjegjësi për dëmet, ndërsa qeveria ka shkaktuar, sipas tij, humbje të mëdha financiare.
“Ky flet për dëme, ka fytyrë të flasë për dëme ky njeri që ka zhdukur 130 milionë euro në djegësin e Tiranës. Që ka zhdukur në total 200 milionë euro me tre djegësat, asnjëri prej tyre nuk punon”, deklaroi Berisha.
Ai kritikoi gjithashtu projektin e zhvillimit të portit të Durrësit dhe investimet në infrastrukturë, duke pretenduar se kostot e ndërtimit të rrugëve dhe shkollave kanë qenë shumë më të larta se standardet evropiane.
Berisha e akuzoi qeverinë edhe për ndikim negativ në ekonomi, duke përmendur rënien e eksporteve, uljen e prodhimit industrial dhe emigrimin e shqiptarëve gjatë dekadës së fundit.
Në përfundim, kreu i Partisë Demokratike e krahasoi situatën në Shqipëri me zhvillimet në vende të tjera evropiane, duke kundërshtuar krahasimet e Ramës me liderët e Francës dhe Italisë.
“A mund të krahasojë ky veten me Makronin, me Melonin apo të tjerët, cili prej tyre ka të regjistruara akte të tilla? Ky duhet të lajë gojën kur të përmendë emrat e tyre”, përfundoi Berisha.




