Partia Demorkatike ka dënuar me ashpërsi deklaratën e Ministrisë së Brendshme në lidhje me paralajmërimin e akteve të dhunës në protestën e kësaj të hëne të opozitës.

 

Në një deklaratë për mediat, sekretari I Përgjithshëm I PD, Gazment Bardhi e cilësoi atë si një deklaratë që nxit dhunë dhe që nuk I shërben stabilitetit të vendit.

 

Bardhi tha se dhuna nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë qëllim I PD.

 

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi deklaratën e Minstrisë së Brendshme si një deklaratë që nxit dhunë dhe nuk i shërben stabilitetit të vendit. Qeveria që qëndron në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dezinformon dhe mashtron opinionin publik për qëllimin e protestës së opozitës. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllim dhe as mjet i Partisë Demokratike. Deklaratat e Ministrisë së Brendshme se Partia Demokratike ka prodhuar dhe ka shpërndarë bomba molotov për protestën e sotme janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët.”

 

Sipas Bardhit protesta e sotme e opozitës do të jetë paqësore dhe jo e dhunshme.

 

“Partia Demokratike ka thirrur sot një marshim proteste të gjithë qytetarëve kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa. I sigurojmë qytetarët se Partia Demokratike është e angazhuar vetëm për protestë paqësore. Partia Demokratike është parti e lirisë dhe e vlerave europiane dhe euroatlantike, ajo ka refuzuar dhe refuzon dhunën dhe bashkëpunimin me krimin për të ardhur në pushtet.”

 

Bardhi I kërkoi prokurorisë që të zbulojë autorët e mbishkrimeve në banesën e ambasadorit të OSBE dhe t’I vendosë ata para përgjegjësisë.

 

“Është e dënueshme çdo përpjekje propagandistike e qeverisë për ta kundërvënë Partinë Demokratike me partnerët tanë, si në rastin e mbishkrimeve në banesën e ambasadorit të OSBE-së. Ne i kërkojmë prokurorisë të zbulojë kush janë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i vërë ata përpara përgjegjësisë.”

 

Bardhi deklaroi më tej se Partia Demokratike është e vendosur që të mos bëjë asnjë hap prapa sa I takon kërkesave të saj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *