PD kallëzon në SPAK Ramën dhe drejtuesit e Policisë, Kalaja: Dhunuan protestuesit, të pezullohen nga detyra!

Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit, lidhur me dhunën e pretenduar ndaj protestuesve dhe gazetarëve gjatë tubimeve në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja, bëri të ditur se kanë kallëzuar gjithashu ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e Policisë së Tiranës, drejtuesin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe drejtuesit e komisariateve nr. 1, 2, 3, 4 dhe 6 në Tiranë, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.
“Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK, kundër – Ministrit të Brëndshëm; Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; Drejtorit të Policisë Tiranë; – Drejtuesit të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore; – dhe Drejtuesve të Komisiariateve Nr.1, Nr.2, Nr.3, Nr.4 dhe Nr.6 të Tiranës, dhe cdo personi të pa identifikuar deri më tani, që ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe gazetarëve, në protestë apo gjatë shoqërimit dhe brenda Komisiariateve, si dhe çdo person tjetër që, me veprimet apo mosveprimet, rezulton që ka përgjegjësi penale për dhunën brutale të ushtruar ndaj protestuesve.
Kallëzimi ka si objekt veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarja e masave për të ndërprerë veprimet e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengimi në të drejtën për t`u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, dhe “Përdorimi i dhunës gjatë hetimeve”, të gjitha veprimet të kryera “në bashkëpunim”, sipas parashikimit të nenit 25 te Kodit Penal dhe “në rrethana rënduese” sipas parashikimit të nenit 50 të Kodit penal, si dhe çuarjen e tyre para GJKKO”, deklaroi Kalaja.
Kalaja deklaroi se Partia Demokratike i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pezullimin nga detyra të personave të kallëzuar, me argumentin se pozicionet e tyre mund të krijojnë rrezik për manipulimin e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve.
“PD sot ka depozituar një kallëzimin shtesë penal kundër kryeministrit Rama dhe të njëjtëve persona të përmendur më lart, me vepra penale shtesë “genocide” ndaj popullatës dhe “ ushtrim I ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve që kryejnë një funksion publik”. GJKKO i është kërkuar marrja e masës ‘pezullimi nga detyra’ për të kallëzuarit për shkak të pozicionit të tyre, dhe rrezikut potencial për Prishjen dhe manipulimin e provave dhe Intimidimin e dëshmitarëve”, deklaroi Kalaja.
Në përfundim, Kalaja i bëri thirrje SPAK-ut dhe prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm të nisin hetimet për dhunën e pretenduar ndaj protestuesve dhe të shqyrtojnë kallëzimet e depozituara nga opozita.
Ajo theksoi se PD do të vijojë të mbështesë protestuesit dhe do të ndjekë edhe rrugën ligjore për denoncimin e rasteve të dhunës.




