Partia Demokratike i shtohet koalicionit të partive shqiptare të cilët do të garojnë me një listë të vetme për zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Në një reagim në Facebook, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, bëri të ditur se Marrëveshjes “Për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë” së nënshkruar nga Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, sot i është bashkuar edhe Partia Demokratike.

Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme,  Cakaj priti në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Luginës së Preshevës,  Nagip Arifi, i cili në përfundim të takimit nënshkroi edhe Marrëveshjen.

 

“Në takim nënvizuam edhe njëherë rëndësinë e patjetërsueshme të bashkimit politik e bashkëpunimit ndërpartiak në mbrojtje të interesave kombëtare e politikave zhvillimore në përgjithësi!”- u shpreh Cakaj në statusin e tij, sa i përket takimit të zhvilluar.

 

Për momentin shqiptarët e Luginës kanë vetëm një deputet në kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasanin ndërsa kanë qënë gjithnjë të përcarë në zgjedhje. Tashmë synohet që të maksimalizohen votat dhe shqiptarët të kenë më shumë përfaqësues në parlament.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *