Partia Demokratike nuk ra dakord me votimin unanim që u bë në Komisionin e Ligjeve për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.

Në një reagim për mediat, PD akuzoi mazhorancën se po prish marrëveshjen e arritur më 5 qershor për reformën zgjedhore. Sipas demokratëve, këto ndryshime po bëhen sepse Edi Rama ka frikë nga vota e lirë e qytetarëve.

“Tentativa për prishjen e Dakordësisë së 5 Qershorit, të arritur me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e plotë të partnerëve strategjikë SHBA – BE, është përgjegjësi VETEM e Edi Ramës. Ky akt minon procesin e integrimit europian të vendit dhe dëshmon përpara opinionit publik, se Edi Rama për pushtetin e tij personal është në gjendje të hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Çdo lojë e pisët për të ndryshuar në mënyrë të fshehtë dhe të njënashme Kushtetutën nga njeriu që është i tmerruar nga zgjedhjet dhe vullneti i qytetarëve, është dëshmi e fundit të tij të pashmangshëm. Ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinzar që për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit europian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe  shoqëror të vendit.”

Partia më e madhe e opozitës theksoi se sistemi zgjedhor zgjidhet vetëm nga qytetarët dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë është me referendum popullor.

“Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor, e vendosin vetëm qytetarët me referendum popullor. Opozita e Bashkuar i bindet vetëm vendimeve që marrin qytetarët dhe jo interesave kriminale të pushtetit personal të Edi Ramës. Opozita e Bashkuar është e vendosur ti shërbejë vetëm interesit të qytetarëve. Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndimet e qarta të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, dhe rikonfirmon se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim të Dakordësisë së 5 Qershorit, si baza minimale për krijimin e një klime normale për zgjedhjet në Shqipëri.”

Në vitin 2021 shqiptarët do të votojnë jo vetëm partinë, por edhe për kandidatët për deputetë. Komisioni i ligjeve miratoi me unanimitet ndryshimet në Kushtetutë të cilat parashikojnë se të paktën 2/3 e listës së kandidatëve për deputet duhet të jetë e hapur, ndërkohë që për të mbrojtur përfaqësimin e zonjave në parlament, do të ruhet një pjesë e mbyllur e listës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *