Një ditë pasi ambasadorja amerikane vuri në dukje se mund të ketë një marrëveshje për të ndryshuar reformën në drejtësi, Partia Demokratike u hodh në sulm ndaj qeverisë.

Sekretari i PD për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata akuzoi deputetët socialistë në “Facebook” se janë ata që e kërkojnë diçka të tillë.

“Edi Rama bëri që pas 3 viteve, mbi 60 përqind e shqiptarëve nuk kanë më besim tek reforma në drejtësi, duke qenë të bindur se ajo është e kontrolluar politikisht dhe i shërben pushtetit. Ndryshimet për ligjet e reformës, të paralajmëruar nga deputetët e Edi Ramës, vetëm do ta thellojnë këtë. Adnor Shameti apo Ulsi Manja, që e ka mbështetur idenë e tij për ndryshimin e ligjeve të reformës në komisionin e ligjeve,  e kanë thënë qartë. Janë ata që duan të shtrijnë edhe më shumë kthetrat për të gllabëruar çfarë ka mbetur nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, duke penguar zbatimin e Reformës në Drejtësi.”

Yuri Kim tha të enjten se ka fjalë se në politikë po diskutohet për një marrëveshje të fshehtë për reformën në drejtësi.

“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *