Partia demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se mashtroi mësuesit, mjekët, infermierët e ushtarëkët për rritjen e pagave në 1 prill.

 

Në një deklaratë për mediat, Vokshi i kërkoi qeverisë që të miratojë menjëherë një VKM me fuqi prapavepruese që kjo kategori profesionesh të përfitojë rritjen e pagës.

 

“Të gjithë e dinë se Edi Rama gënjeu. Vitin që shkoi as pagat e mësuesve, as të mejkëve, as të administratës, nuk u rritën asnjë qindarkë. Për ta nuk u dha asnjë shpërblim, sepse mirëqenia dhe trajtimi dinjitoz i tyre nuk është pjesë e axhendës së Edi Ramës. Njerëzit për Edi Ramën janë vetëm objekte elektorale që, ose duhen blerë, ose duhen mashtruar.  Disa muaj më parë, Edi Rama premtoi sërish se pagat e mësuesve, mjekëve, punonjësve në shëndetësi dhe ushtarakëve do të rritën  duke nisur nga 1 prilli. Sot jemi më 4 prill. Ne telefonin tim janë me qindra mesazhe të mësuesve, mjekëve dhe infermierëve që shprehin revoltën e tyre për mosmbajtjen e premtimit nga Edi Rama. Partia Demokratike e di shumë mirë se qeveria po fsheh gjendjen e vërtetë të financave të shtetit, se kontrabanda dhe korrupsioni në dogana e tatime gëlojnë dhe në arkë nuk ka para mjaftueshëm, sepse muaji mars është mbyllur me minus, por rreth 60 mijë mësues, mjekë, infermierë, punonjës të shëndetësisë, ushtarakë dhe familjet e tyre, nuk kanë pse të vuajnë pasojat e korrupsionit galopant të qeverisë së Edi Ramës. PD shpreh keqardhjen, veçanërisht, për përdorimin e rreth 35 mijë mësuesve si objekte elektorale. Mësuesit, në dorën e të cilëve janë fëmijët tanë, meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe jo sipas llogarive për vota të Edi Ramës. Gjatë qeverisjes së tij, paga e tyre ka pësuar një rritje minimale në 6 vjet, ndërkohë, që gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike paga e mësuesve u mbidyfishua.  Paga e mesuesve duhet të rritet pa vonesë dhe jo të pritet afrimi i zgjedhjeve. Zgjidhja është e thjeshtë: qeveria të nxjerrë menjëherë një vendim me fuqi prapavepruese, në mënyre që rritja modeste të perfitohet që prej datës 1 prill dhe asnjë ditë më vonë.”

 

Sipas Vokshit, PD është e vetmja alternativë e besueshme për mësuesit pasi ka një plan zhvillimi dhe vullnetin politik për ta nxjerrë vendin nga kriza.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *