Partia Demokratike akuzon qeverinë se nëpërmjet një VKM-je, po ndryshon sërish skemën e kompensimit të pronave.
Ekspertja e ngarkuar nga kreu i PD për çështjen e pronave, Ledina Mandija tha se Rama e gjeti skemën e kompensimit me 100% të vlerës, e dërgoi në 20% të vlerës dhe sot dëshiron ta çojë në 10% të vlerës.
Janë 7000 raste pronash që ende presin në agjenci apo dyert e gjykatave. Pa folur këtu për çështjet e tjera që enden në dyert e gjykatave ndërkombëtare.Tashmë përmes një VKM-je ajo sërish po ndryshon skemën e kompensimit të ndryshuar në Dhjetor 2017. Ironikisht qeveria e gjeti skemën e kompensimit me 100% të vlerës, e dërgoi në 20% të vlerës dhe sot dëshiron ta çojë në 10% të vlerës. Përpos kësaj, qeveria që ka shpërndarë 120 mln euro për PPP korruptive po mendon një tjetër skemë për të rivlerësuar vendimet e GJEDNJ. Kështu duke rivlerësuar pronat që duhet t’i paguante në bazë të vendimit, ajo do të minimizojë kostot për pronarët dhe në pak fjalë t’u hajë atyre hakën. Kur do të marr fund e gjithë kjo? Ditën që kryeministri Rama i cili është armiku i pronarëve (po aq sa ai që ua morri pronarëve në 1945), do të largohet nga pushteti. Ai tanimë e ka deklaruar qartësisht se nuk do të bëjë asnjë kompromis me pronarët të cilëve gjithnjë ua ka hedhur dhe mbi të cilat ka përdorur skema të ulëta për t’u marrë atë që u takon.





