Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi mori pjesë në debatin e ditëve të fundit për Teatrin Kombëtar dhe reformën zgjedhore.

Përmes një postimi në “Facebook”, Patozi deklaroi se shembja e godinës po përdoret si pretekst nga opozita për të mos marrë pjesë në tryezën e reformës zgjedhore.

Sipas tij, mazhoranca hodhi “shashkën” dhe opozita po bën sipas planit për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor.

“Unë kam dyshime të forta dhe të arsyeshme se ngutja e qeverisë për ta prishur me urgjencë dhe në kohë pandemie godinën e teatrit ka pasur për qëllim edhe ngrirjen e procesit, në mos hedhjen në erë fare, të reformës zgjedhore. Që do të thotë injorim dhe sabotim të propozimit amerikan dhe kthimin në origjinë të konfliktualitetit politik për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme me të njëjtat rregulla loje. Shenjat, për fat të keq, nuk janë të mira, sepse email-i për anëtarët e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore është dërguar disa ditë përpara se fadromat e Edi Ramës të suleshin mbi godinën e Teatrit Kombëtar, por askush prej tyre nuk pipëtiu. Ndaj edhe nuk qëndron fare justifikimi se tani që u kalua “vija e kuqe” tek Teatri, as që bëhet më fjalë të ulesh në tavolinë me “armikun”. Kështu i bie që, ndërsa për subjektin e parë danez janë gati t’i shqyejnë sytë njëri tjetrit e ta çojnë gjakun “në gju të kalit”, për ndryshimin potencial të sistemit zgjedhor, që sugjeron ambasadorja amerikane, janë të gjithë në një mendje, jo vetëm që të mos preket, por as që të ketë mundësi të diskutohet. Dhe kam frikë se kjo i kushton shumë më tepër Shqipërisë, se sa shembja arbitrare e godinës së Teatrit.”

Patozi tha se artistët korrën një fitore kundër qeverisë, duke i hedhur poshtë projektin e parë me kulla. Por ai tha se gjëma edhe më të mëdha do të ndodhin nëse nuk miratohet reforma zgjedhore.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *