Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi nguli edhe një herë këmbë tek ndryshimi i sistemit zgjedhor, në kuadër të diskutimeve që po bëhen për reformën zgjedhore. Ai deklaroi nga studioja e “Kapital” në “Vizion Plus” se sistemi duhet ndërruar që t’u jepet mundësi shqiptarëve të votojnë kë duan të kenë përfaqësues.

“Reforma zgjedhore që sipas meje nuk duhet të përfshinte vetëm Kodin Zgjedhor, duhet të ishte kushtetuese, tek e fundit le të mjaftohemi vetëm me atë. Duhet të hapim konkurrencën politike në Shqipëri. Ne duhet ta çajmë sistemin zgjedhor, është sot çarku ku shqiptarët janë të pamundur për të zgjedhur. Ata sot nuk zgjedhin njerëzit që dëshirojnë për t’u përfaqësuar, por listat e kryetarëve. Kjo duhet të ndryshojë. Shqipëria sot po lëngon nga kryetarokracia. Listat e hapura janë A-ja.”

Sipas tij, duket deri diku e pamundur që reforma zgjedhore të mbyllet brenda dy ditësh, por theksoi se mbasë mund të arrihen disa ndryshime nëse këtë e kërkojnë ndërkombëtarët.

“Mua më duket që Shqipëria është në stancjacion, nuk ka asnjë hap përpara që ne të kemi më shumë shpresë që vitin e ardhshëm do tu japim fund krizave ciklike në Shqipëri. Nuk shoh asnjë shenjë se Shqipëria do të ndryshojë. Më e rëndësishmja është reforma zgjedhore. Që në 2012 Shqipëria ka bërë reformën e fundit zgjedhore. Njerëzit presin prej tetë vitesh. Dhe të pretendosh se në dy ditë do të ndodhë mrekullia, unë nuk besoj tek mrekullia. Ka një rezistencë okulte nga aktorët kryesorë të politikës për të ruajtur status-quon. Faktori ndërkombëtar mund të luajë një rol që të imponojë klasën politike që në mos të gjithë, të bëjnë disa ndryshime thelbësore.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *