Partia Bindja Demokratike ka dërguar sot listat e kandidatëve për deputetë në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit.
BD ka kërkuar informacion për të 153 kandidatët e saj, sa i përket të shkuarës dhe lidhjeve të mundshme të tyre me Sigurimin e Shtetit.
“Në hartimin e ekipit të kandidatëve të saj Bindja Demokratike ka synuar të ketë një listë me individë të paakuzuar ndonjëherë për afera korruptive, të pacënueshëm nga ligji i dekriminalizimit dhe të pastër sa i përket të shkuarës komuniste. Nëse në përgjigjen e Autoritetit të Dosjeve, rezulton që ndonjëri prej tyre ka patur lidhje me strukturat e Sigurimit të Shtetit, kandidati në fjalë do të përjashtohet nga lista e kandidatëve të partisë në zgjedhje.”
Në përfundim të njoftimit thuhet se Bindja Demokratike është e vetmja parti që i është drejtuar deri më tani këtij autoriteti për të verifikuar kandidatët për deputetë.