Pastiçe fshati me perime, shije dhe ngjyra nga shefja e kuzhinës Albana Mançja
Një recetë plot shije dhe ngjyra, që sjell në tryezë freskinë e perimeve dhe shijen tradicionale të pastiçes së fshatit. Shefja e kuzhinës Albana Mançja na zbulon si të përgatisim një pastiçe të shijshme e kremoze, ideale për një vakt të shëndetshëm në familje.
Përbërësit:
1 pako makarona OLA
200 gr brokoli
200 gr lulelakër
200 gr karota
300 gr spinaq
50 gr djathë kaçkavall
Vaj ulliri
Për kremin:
250 gr gjizë pa kripë
400 ml qumësht
50 gr kaçkavall i grirë
Kripë, piper i zi dhe trumzë
Përgatitja:
Fillimisht, vendosim makaronat të ziejnë në ujë të bollshëm me kripë. Karotat i presim në kubikë dhe i shtojmë në ujin ku po ziejnë makaronat. Më pas, shtojmë brokolin dhe lulelakrën e ndarë në boçe, si dhe spinaqin. I lëmë të ziejnë për disa minuta.
I kullojmë makaronat dhe perimet dhe i shtrojmë në një tavë të lyer me vaj ulliri. Në një tas, përziejmë gjizën me qumështin, djathin e grirë, kripën, piperin e zi dhe trumzën. Kremin e hedhim mbi makaronat me perime.
E spërkasim sipërfaqen e pastiçes me djathë kaçkavall të grirë dhe e vendosim tavën në furrë të parangrohur në temperaturën 180°C për 25 minuta.




