Në përgjithësi, fëmijët kanë luhatje për orientimin që ata do të marrin kur të rriten. Preferencat ndryshojnë nga fëmijëria, në adoleshencë e deri në momentin kur u duhet të zgjedhin për përcaktimin e profesionit që duan të ndjekin.

 

Por ky nuk është rasti i Aleks Zisit, një i ri nga qyteti i Ersekës, që ka përcaktuar të ardhmen e tij që në moshën 5 vjeçare.

 

Që i vogël, ka pasur pasion baterinë. Profesionistët e këtij instrumenti në qytetin e tij të lindjes ishin “nën lupën” e Aleksit në të gjithë procesin e punës, që nga montimi i baterisë e deri në fund. I gjithë procesi i tyre pasqyrohej më pas në shtëpi, kur Aleksi nuk dinte as notat muzikore, por me intuitë ai arrinte të krijonte fraza muzikore.

 

Pasioni i tij për këtë vegël muzikore shtohej çdo ditë. Më vonë, prindërit e tij morën vendimin për ta dërguar me studime në Selanik, Greqi për të marrë mësimet e duhura për këtë vegël muzikore, kur ishte vetëm 10 vjeç, ku edhe i vazhdon aktualisht.

 

Vitet kalonin dhe Aleks Zisi vijonte të ushtronte baterinë. Ai u bë i njohur dhe mahniti gjithë shqiptarët, përmes konkurseve të ndryshme që merrte pjesë.

 

Aleks Zisi është instrumentisti i shtatë që performon në COD, me improvizimin e tij origjinal dhe energjik në bateri.

 

Aleksi shprehet se bateria e bën të ndjehet vetvetja.

 

Angazhimi i tij në tregun muzikor ka nisur që  kur ai ka qenë 17 vjeç, ku ka performuar për artistët më në zë të vendit, si Arilena Ara, Tiri Gjoci , Soni Malaj dhe së fundmi Noizy. Aleksi është  baterist i vetëm i këtyre këngëtarëve.

 

Pasionin e tij për artin dhe veçanërisht baterinë nuk e ka shuar asgjë. Përkundrazi, me këmbënguljen e tij sot ka regjistuar ngjitje në karrierë, ndërsa synimet e tij janë akoma më të larta.

 

Ai thotë se ka synime të vazhdoë studimet në një shkollë profesionale për bateri dhe të punojë me artistët më të suksesshëm jashtë.

 

E tashmë, na mbetet të presim ditën kur artistin më të ri shqiptar ta shohim në skena më të mëdha ndërkombëtare dhe kjo nuk është një gjë e pamundur.

 

Talenti i Aleksit flet vet!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *