Presidenti Ilir Meta uroi të gjithë besimtarët ortodoksë për Festën e Pashkës.

 

Meta kujtoi në “Facebook” lutjen e fundit të Krishtit në Kryq dhe tha se e mira do të triumfojë gjithmonë, pavarësisht të keqes.

 

Urimet e kreut të shtetit shkojnë për më shumë shëndet, paqe e begati.

 

“Gëzuar Festën e Shenjtë të Pashkës, Ditën e Ngjalljes së Krishtit, të triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën, të së mirës ndaj së keqes dhe të dashurisë mbi urrejtjen. Lutja e fundit e Krishtit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!”, na kujton se “helmimi” i familjes, i shoqërisë dhe i politikës nga fenomenet e errëta duhet luftuar me kryengritjen paqësore të madhështisë së dashurisë dhe faljes, që na mësoi dhe predikoi me vepra Biri i Perëndisë. Shumë përpiqen ta shmangin këtë parim, por siç na mëson Ungjilli: “Të bekuar janë ata, që frymëzohen nga falja, e cila buroi nga varri i Krishtit. Të bekuar janë ata, që kërkojnë dashurinë e Tij, që kapërcen çdo mendje”. Festa e Dritës, që kurrë nuk perëndon, na kujton sot se sado i lartë të duket “mali” i së keqes, e mira do të triumfojë sepse shpresa me besimin në Zot nuk vdes asnjëherë, por ajo është e gjallë dhe do të ngjallet si Krishti. Me urimet më të përzemërta për popullin shqiptar, për më shumë shëndet, paqe e begati në familjet tuaja!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *