Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka njoftuar sot nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë dhe grantit për financimin e projektit për ndërtimin të parkut fotovoltaik të Belshit.
Projekti synon të furnizojë me energji të rinovueshme rreth 16,100 abonentë ose mbi 50 mijë qytetarë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt qëndrueshmërisë energjetike dhe decentralizimit të prodhimit në Shqipëri.
Me një grant prej 9.58 milionë euro nga Bashkimi Evropian dhe një hua prej 30 milionë euro nga BERZH, ky investim vjen si pjesë e iniciativës së BE-së për rritjen e kapaciteteve të gjelbra në Ballkanin Perëndimor.
Balluku: Sot do të firmosim një marrëveshje për grantin dhe financimin nga BERZH të një projekti që synon ndërtimin e një parku fotovolatik në parkun e Belshit, një park i cili do të ofrojë energji për 16100 abonentë ose 50 mijë qytetarë të Republikës së Shqipërisë. Ky park diellor shton kapacitetin prodhues të KESH, krijon qëndrueshmëri dhe decentralizim të prodhimit të rinovueshëm. Nga ana tjetër shënon një hap të rëndësishëm të integrimit të zonave të reja në rrjetin energjitik. Asnjë projekt nuk është i rastësishtëm, të gjitha projektet janë të studiuara. I gjithë ky proces, procesi i studimeve që ndodhin sot mes sektorit privat dhe atij publik, por edhe bashkërendimi që ndodh mes tre kompanive shtetërore, OSHEE, OST dhe KESH ka sjellë një përmirësim të dukshëm financiar dhe përmirësim të shërbimit, i cili do të vijë duke u rritur në vitet e ardhshme. Ky është një projekt shumë i dashur për ne, sidomos për KESH që e ka ndjekur që nga fillimi.
Është ngjizur në periudhën e krizës energjitike kur BE dhe përfaqësuesit e delegacionit këtu në Shqipëri, përmes kornizës së investimeve në Ballkanin Perëndimor hapi një thirrje të dedikuar për projktet energjitike me qëllimin rritjen e kapaciteteve të reja nga burimet e rinovueshme. Kjo thirrje rezultoi e suskesshme për ne, pasi arritëm të përfitojmë një mbështetje financiare që vjen nga BE në formën e grantit me 9.58 mln euro, që është 23% e vlerës së investimit e shoqëruar nga një hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 30 mln euro. Projekti ka afate të mirëcaktuara./vizionplus.tv





