Duke marrë shkas nga moti i keq, presidenti Ilir Meta i bëri thirrje qeverisë të marrë masa. Përmes një postimi në “Facebook”, Meta tha se një vëmendje të veçantë kërkohet për Shkodrën, për shkak se priten shkarkime të mëdha nga hidrocentralet.

 

“Prej ditësh, Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka dhënë paralajmërimin për një përkeqësim potencial të situatës hidrometeorologjike në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në ultësirën veriperëndimore, si dhe në zonat nga Shkodra në Fier. Ndërkohë, stacionet hidrologjike në Kaskadën e lumit Drin, bëjnë me dije se për shkak të intesitetit të reshjeve, priten shkarkime të mëdha nga HEC-et dhe për pasojë parashikohet të ketë përmbytje në zonën e Shkodrës. Në këto kushte, i bëj thirrje Qeverisë, ministrive përgjegjëse, prefekturave dhe bashkive në zonat me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje, të marrin në konsideratë këto paralajmërime serioze dhe të garantojnë urgjentisht: Informimin me transparencë dhe në kohën e duhur të popullatës, që jeton në zonat me rrezik potencial përmbytjeje, me qëllim garantimin e jetës dhe minimizimin e pasojave në prona e bagëti; Garantimin me rezerva të mjaftueshme ushqimore për popullatën dhe blegtorinë; Vendosjen e hidrovoreve në regjim gatishmërie pune, me kapacitet të plotë; Vënien në gatishmëri të strukturave të koordinimit, menaxhimit dhe atyre operacionale, me qëllim marrjen e të gjitha masave parandaluese për minimizimin e riskut në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut; Gatishmërinë e strukturave operacionale, grupeve të kërkim-shpëtimit, mjeteve ajrore dhe mjeteve lundruese,  për garantimin në çdo kohë të operacioneve efektive, në çdo zonë, që rrezikohet nga përmbytjet.”

 

Meta tha se për jeta e prona e çdo qytetari duhet të mbrohet.

 

“Mbrojtja e shëndetit, jetës dhe pronës së çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë është një detyrim kushtetues, që duhet përmbushur me përgjegjshmëri maksimale. 🇦🇱”

 

Gjatë kësaj të enjteje në disa zona pati përmbytje dhe vështirësi në qarkullim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *