Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji akuzon kryeministrin Edi Rama se pasi zbrazi arkën e shtetit, i është vërsulur bizneseve vendase, duke lëshuar armatën e taksidarëve që sipas tij kanë nisur terrorizimin e bizneseve.

Gjatë një deklarate për mediat, demokrati thekson se biznesi dhe të punësuarit nuk u ndihmuan nga qeveria përgjatë gjithë pandemisë, madje u përjashtuan nga paketat ndihmëse

Ai bën fajtor Ramën për mohimin e të drejtës legjitime të çdo taksapaguesi për t’iu dhënë ndihmë apo shërbim, ndërsa shton se pasi ua merr taksat, u lë dhe barrën e pagesës së taksave të mëtejshme dhe çdo detyrim tjetër.

“Armiku i vërtetë i biznesit është Edi Rama, njeriu që pasi ka zbrazur arkën e shtetit nga babëzia për të vjedhur taksat e shqiptarëve me koncesione dhe PPP, i është vërsulur bizneseve vendase. Ka lëshuar armatën e taksidarëve që kanë nisur terrorizimin e biznesit vendas, veçanërisht prodhues. Pasi i shmanget përgjegjësisë karshi biznesit dhe qytetarit, në kohë pandemie, i kërkon bizneseve me përdhunë të paguajnë për keqmanaxhimin e tij. I kërkon tatimorëve të sillen barbarisht ndaj bizneseve dhe sipërmarrjeve. Prandaj ato janë lëshuar si xhambazë anë e kënd vendit duke kërkuar me përdhunë taksa dhe duke kërcënuar me faliment ose gjoba të frikshme. “Parà ose faliment!” kjo është motoja e pandershme dhe mafioze që i ofrohet bizneseve nga xhambazët e rilindjes.”

Mes të tjerash, Salinjani nënvizon se PD po merr me dhjetëra denoncime nga biznese prodhuese, qe faktojnë represionin e inspektoriateve dhe kërcënimet mafioze të tyre.

“Filozofia e Ramës dhe kësaj qeverie po bëhet përditë edhe më e qartë për këdo sipërmarrës, të punësuar apo dhe pensionist. Nuk kanë ndërmend të mbështesin biznesin prodhues vendas, nuk kanë ndërmend të ndihmojnë një punëdhënës të rëndësishëm dhe me peshë. Jo! Ata nuk mendojnë se shqiptarët kanë të drejta dhe se duhet të punojnë. Ata duan vetëm të përfitojnë dhe abuzojnë. Prandaj, Rama në vend që të lehtësonte nga taksat, të subvenciononte prodhimin dhe të ndikonte për shtyrjen e kësteve të kredisë për të ndarë sakrificën e biznesit po i kërcênon, gjobit dhe mbyt me shkresa dhe bllokime! Qeveria Rama është armikja e biznesit dhe sipërmarrjes! Ne do të mbajmë shënim emrat e atyre që sot gjezdisin me bllok kërcënues në dorë duke u prerë të drejtën familjeve shqiptare për të ardhura. Shqiptarët nuk do të tremben dhe as do të kërcënohen nga mafiozët që u vendosin lakun në fyt gjithnjë e më shumë shqiptarëve. Askush nuk mund të detyrojë shqiptarët të paguajnë me gjakun dhe djersën e tyre harbimin pushtetar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *