“Pandemia po del nga kontrolli”/ Meta: Opozita meriton notën 10 për qasjen ndaj COVID
Ilir Meta doli për herë të parë në publik me maskë, por u kujdes të saktësonte se kjo nuk ishte vetëm për shkak të vendimit të qeverisë, për të cilën nuk kurseu dhe ironinë.
“Unë e kam tmerr të mbaj maskë, por në momentet aktuale për të mos lënë hapësirë për spekulim jam i detyruar të vendos maskën dhe u bëj thirrje të gjithëve të vendosin maskën. Kjo nuk ka të bëj thjesht me thirrjet aktuale të KM, por me përkeqësimin e situatës dhe në kushtet kur qeveria po kujdeset kaq shumë për disa oligark dhe shpresoj që të jenë më të kujdesshëm, KM na mbushi mendjen që maska ishte e pavlerë, tani ka dal në këtë variant dhe duhet të bëjë çdo gjë që qytetarët të kenë maska, sepse nuk është kaq e thjeshtë që të gjithë të kenë maska, veç rritjes së testeve dhe gjurmimit. Nëse e shihni si reflektimi timin, pozitive është. Shpresoj që dhe të tjerët të reflektojnë për këto ligje që bëhen për oligarkët.”
Meta lëshoi alarmin për situatën e pandemisë në vend, për të cilën bëri përgjegjëse Qeverinë për keqmenaxhimin.
Ndërsa nuk kurseu vlerësimet maksimale për qasjen e opozitës gjatë gjithë kohës së pandemisë. Madje e vlerësoj edhe më shumë se veten.
“Opozita në vlerësimin tim ka notën 10 për përgjegjshmërinë që ka treguar për gjatë gjithë krizës së pandemisë. Unë mund të kem notën 9 se kam pasur problemin e maskës, por opozita ka bërë çdo gjë. Edhe të ishte në qeveri vështirë të bënte diçka më shumë”, tha Meta.
Kreu i shtetit u shpreh i bindur se nëse do të ishin dëgjuar sugjerimet e opozitës që në fillimet e pandemisë për shtimin e testimeve realiteti do të ishte ndryshe.




