Panairi i librit ka mbërritur në Bookland, duke e kthyer librarinë ne një stacion të domosdoshëm për dashamirët e leximit.
Mes botimeve te reja, ofertave dhe atmosferës së ngrohtë letrare, këtu lexuesi gjen gjithçka.
Që prej hapjes së saj në vitin 2020, “Bookland” ka arritur të krijojë një komunitet të gjerë lexuesish besnikë. Me një gamë të pasur librash, nga letërsia artistike, te librat motivues, filozofikë dhe ato për fëmijë, ky oaz libri është bërë një ndër destinacionet më të vizituara. Edhe këtë vit, synimi është i qartë, ta afrojë sa më shumë publikun me librin dhe të kthejë leximin në një përvojë të përditshme.
“Çdo vit ne jemi prezent më uljet tona dhe vjeshta tanimë është kthyer në periudhën më të bukur të vitit duke ofruar ulje që nga botimet më të hershme, por dhe ato që janë risi dhe botime të reja. Jemi përpjekur të sjellim sa më shumë tituj duke filluar që te librat për të vegjlit dhe deri te më të rriturit”, tha Enkelejda Koleci, menaxhere e “Bookland”.
Përfaqësues të “Bookland” vlerësojnë faktin që nga muaji në muaj interesi për librin është në rritje, veçanërisht nga të rinjtë. Ky panair nuk është vetëm një mundësi për të blerë libra më lirë, por edhe një kujtesë e bukur se leximi mbetet një udhëtim që ia vlen të ndërmerret, çdo ditë.
“Në fakt brezi i tretë është gjithmonë prezent, dhe ndjehemi shumë mirë kur i kemi, sepse është kënaqësi shumë e madhe që pavarësisht moshës vazhdojnë dhe kanë dëshirën e mirë për ti qëndruar sa më pranë librit. sigurisht që praninë më të madhe e kemi me adoleshentë dhe brezin e ri, por nuk mund të bëjmë një ndarje strikte që të themi vetëm kjo kategori. kjo është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për uljet dhe të bërë pjesë të bibliotekave të tyre titujt e rinj”, tha Koleci.
Për të gjithë ata që duan të përfitojnë nga ofertat e panairit, “Bookland” do të qëndrojë i hapur deri më 13 tetor në Galerinë “ETC”, në katin e dytë, ndërsa për ata që nuk mund të jenë fizikisht të pranishëm, librat mund të porositen edhe online në bookland.al.





