Subscribe

Një ditë pas Asamblesë së Partisë Socialiste në Durrës, PS mbledh sot në Kryesi grupin parlamentar.

Burime për Vizion Plus bëjne me dije se në mbledhje do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Lexo edhe :

Related Posts

Në mbledhje do të diskutohet mbi dakordësinë e arritur me deputetët e Rithemelimit për rikthimin e Kuvendit në normalitet.

Kreu i qeverisë pritet t’u lërë porositë e tij ligjvënësve socialistë për qëndrimet që duhet të mbajnë dhe aktivizimin e tyre në parlament.

Kujtojmë se një javë më parë në Konferencën e Kryetarëve, PS u dakordësua me Rithemelimin për ngritjen e dy nga tetë komisionet hetimore që opozita ka kërkuar.

Marrëveshjet qe ranë dakord PS dhe Rithemelimi

1- Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shërbimin publik të Sterilizimit dhe shërbimin publik të Check-up në shëndetësi.

2- Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të sistemit TIMS.

Kuvendi i Shqipërisë vendosi ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shërbimin publik të Sterilizimit dhe shërbimin publik të Check-up në shëndetësi.

Komisioni Hetimor ka për objekt të veprimtarisë së tij:

(i) Shqyrtimin e cështjeve të lidhura me kontratat publike për shërbimin publik të sterilizimit dhe atë të check-up në shëndetësi, si dhe zbatimin e tyre;

(ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave administrative apo ndërhyrje ligjore në legjislacionin përkatës.

Kuvendi i Shqipërisë vendosi ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të sistemit TIMS.

Komisioni Hetimor ka për objekt të veprimtarisë së tij:

(i) Shqyrtimin e cështjeve lidhur me kontrollin e veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e sistemit TIMS; 

(ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave administrative apo, ndërhyrjet ligjore në legjislacionin përkatës në fuqi.

Komisionet kanë të drejtë të hetojnë dhe të bëjnë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tyre, në përputhje me parimet kushtetuese, vecanërisht parimin e ndarjes së pushteteve, duke mos iu mbivendosur punës së organeve të drejtësisë, parimin për një proces të rregullt ligjor, parimin e prezumimit të pafajësisë, parimin e paanshmërisë dhe i respektimit të jetës private të individit.

Komisionet Hetimore, të ngritura sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqeten Kuvendit në seancë plenare rekomandime për marrjen e masave me karakter administrativ dhe/ose ndryshime të nevojshme ligjore.

Komisionet Hetimor do të përbëhen nga 15 (pesembëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe 6 (gjashtë) anëtarë propozohen nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe 8 (tetë) anëtarë propozohen nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Përbërja e Komisionit caktohet me vendim të vecantë te Kuvendit.

Komisionet Hetimore do të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në një afat kohor 4 – mujor, nga data e miratimit të këtij vendimi. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të Komisionit, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.

Ngarkohen Kryetari i Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm për krijimin e kushteve të punës dhe mbështetjen logjistike të veprimtarisë së këtij Komisioni Hetimor./vizionplus.tv

/vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *