Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi pas padisë që Partia Demokratike depozitoi në SPAK të mërkurën.
Spiropali ju përgjigj Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, duke deklaruar se opozita po fle gjumë. Sipas saj, me këtë ritëm, demokratët nuk do të kenë më asnjë mbështetës.
“Gazi i Partisë Demokratike na paska denoncuar në SPAK se bëjmë fushatë duke takuar njerëz anembanë Shqipërisë, nga Vermoshi në Konispol, nga Devolli në Divjakë. O Bardh Ziu, nuk të kemi faj ne që i shtojmë simpatizantët tanë sepse nuk presim të vijnë ata tek ne por vemi ne tek ata, ndërsa ju me në krye Lul Gjumin, duke pritur që të vijnë njerëzit tek ju dhe jo të shkoni ju tek njerëzit, ngrini komitete e komisione spastrimesh autodestruktive për të larguar me çdo kusht dhe me çdo çmim nga radhët tuaja ata që gjumashave si ju s’ju binden, derisa të katandiseni me zero simpatizantë dhe elektorat inekzistent”, thaElisa Spiropali në “Facebook”.
Partia Demokratike paditi në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit kryeministrin Edi Rama.
Opozita akuzoi shefin e qeverisë për shpërdorim detyre, pasi sipas saj po përdor funksionin publik për fushatë zgjedhore.
Përveç kryeministrit, Partia Demokratike ka paditur edhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj, ministren Spiropali, atë të Financave Denaj, ministren Balluku, Taulant Ballën, kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj, si dhe përfaqësues të tjerë socialistë në pushtetin vendor.





